Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konfirmoi në emisionin DESKU në KTV se do t’i shkojë në takim presidentit Hashim Thaçi.
Por ai tha se s’do të shkojë për konsulta me të, por për t’i paraqitur qëndrimin e tij se s’jemi në situatë paszgjedhore.
“Këshilltarët e mi ligjorë, e kanë pasur për detyrë ta vlerësojnë ftesën e presidentit, dhe sugjerimi i tyre është që të shkoj në takim nesër, dhe unë do të shkoj si kryeministër në detyrë që ta paraqes në hollësi qëndrimin tim, duke mos e konsideruar si konsultim për qeveri meqenëse ai do të ishte një lloj shkeljeje e Kushtetutës, sepse s’jemi në situatë pasgjedhore”, konfirmoi Kurti.
Kurti tha se presidenti po sillet thuajse 25 marsi është 3 shkurti, “thuajse unë s’jam zgjedhur asnjëherë kryeministër”.
Ai tha se Presidenti ka dashur që më 3 shkurt unë të mos zgjidhem, duke i ftuar në drekë pakicat joserbe në mënyrë që ata të mos marrin pjesë në votimin për kryeministër.
“Në paraditen e 3 shkurtit, pakicat joserbe i ka thirrur për takim presidenti dhe ju ka thënë ejani shkojmë për drekë në Brezovicë e mos rrini në Kuvend sepse do të dështojë Kurti, e pastaj në herën e dytë do ta kemi dikë të LDK-së ku ju do të merrni shumë më shumë se që ju ka ofruar Kurti. Këta s’i kanë besuar dhe unë u zgjodha. Më 3 shkurt unë jam zgjedhur kryeministër, më 25 mars kishim mocionin e mosbesimit, dhe meqenëse Kushtetuta s’e parasheh mocionin konstruktiv të mosbesimit, kur ti e rrëzon një qeveri e propozon një qeveri alternative, të gjithë ata që shkojnë në mocion, shkojnë me idenë e zgjedhjeve të reja. Dhe sot presidenti s’ka mjete kushtetuese në dorë që të na thotë neve se nga kjo përbërje e Kuvendit duhet të formojmë një qeveri të re. Për mua kjo është situatë absurde. Është neni 83 pika 2 ku duhet të fokusohet presidentit, e jo në nenin 95. Takimi që kisha herën e fundit me presidentin, ishte më 13 mars, dhe kur e mendoj, përveç të premten i 13 dhe 1 prilli, janë datat e përshtatshme për ta takuar atë”, u shpreh Kurti.
“Unë besoj që më e drejta dhe më e mira është 100% të gjithë ne të përqendrohemi në muajin prill të luftojmë koronavirusin. Presidenti do të duhej ta caktojë në konsultim me partitë, datën e zgjedhjeve, e jo të provojë të formojë qeveri, sepse një president ceremonial, nuk formon vullnet politik as nuk drejton vullnet politik, dhe zgjedhjet të mbahen diku kah mesi i qershorit. Kushtetuta jonë nuk ofron rrugë tjetër. Nevojitet kuvend i ri për qeveri të re. Presidenti e ka shprehur intencën e tij, herë thotë qeveri uniteti e herë teknike, sikurse janë sinonime. Ai dëshiron një qeveri që s’do të jetë qeveri në mënyrë që ky të jetë më shumë se president. Këtë do t’ia bëj të qartë nesër paradite”, theksoi kreu i VV-së.
“Nuk mund ta kuptojmë situatën pa e bërë dallimin mes kryeministrit të dorëhequr dhe qeverisë në detyrë. Karrigia e kryeministrit nuk është e zbrazët, dallon substancialisht nga kryeministri i dorëhequr, siç ishte rasti i Haradinajt. Kemi qeveri në detyrë që do të jetë boshti i luftimit të koronavirusit, deri në zgjedhjet e reja. Unë do t’i respektoj aktgjykimet kushtetuese. Unë s’dua të jem me çdo kusht kryeministër. Shpresoj që s’do të llogarisin në ndonjë gabim teknik të nenit 95 pika 5, ku në vend që të shkruajë partia, siç thuhet partitë politike apo koalicioni që i ka fituar zgjedhjet”, theksoi ai.
Në pyetjen nëse Presidenti ia jep mandatin LDK-së për ta formuar një qeveri tjetër, Kurti tha se do t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese për të cilën tha se do ta rrëzonte atë qeveri.
“Nuk ka mundësi të bëhet qeveri pa të parin. Këtë e thotë aktgjykimi i vitit 2014. Jo që na ka pëlqyer neve ai vendim, por është fakt real që e ka orientuar edhe garën politike e edhe koalicionet pas zgjedhjeve. Pas mocionit të mosbesimit, unë besoj që s’ka zgjidhje përveç se kthimi te sovrani. Populli më 6 tetor ka votuar për partinë fituese për të formuar qeverinë. Ky mocion që e rrëzoi qeverinë, e ka të domosdoshme kthimin tek qytetarët sepse s’mund të sajojmë një Frankenshtajn qeveri. Kuvendi e ka rrëzuar qeverinë, por edhe veten për një qeveri të re. Nëse unë do të jepja dorëheqje, do të ishte ndryshe situata”, u shpreh ai.
Për gjuhën e zyrtarëve të VV-së, gjegjësisht për Agim Bahtirin, që bëri thirrje për vëllavrasje, Kurti tha se “së pari, ta themi qysh në fillim që unë s’jam fare dakord me atë deklaratë”.
“Ajo s’na ndihmon, përkundrazi. Së dyti, është interesant se si prokurorët menjëherë i shkuan në derë Bahtirit, por nuk i trokiti askush Presidentit. Kjo tregon se shteti vazhdon të jetë i kapur. Së treti, unë besoj që njerëzit duhet t’i ruajnë nervat dhe ta gjejnë madhështinë për të tejkaluar frustrimin që ka shkaqe të shumta. Jo të gjithë që shpërthejnë, shpërthejnë jo vetëm për atë që e shprehin. Është njëfarë indinjate në popull, dhe kjo po shpërthen në një pikë që po e zbraz kupën në aktualitetin tonë politik. I ftoj ta ruajnë qetësinë, t’i ndalin sulmet, e të jemi bashkë – armiku kryesor është koronavirusi”, potencoi kreu i VV-së, Albin Kurti.