Qeveria shqiptare ka shtyrë pa afat masat shtrënguese deri në përfundim të pandemisë.
Në një intervistë ekskluzive për Ora News, kryeministri Edi Rama u shpreh se ditët e para të Prillit do të jenë vendimtare për marrjen e masave shtesë ndaj koronavirusit.
Edi Rama: Po diskutojmë dhe kur të jemi gati do të bëjmë publike çdo hap që do të hidhet për më tutje. Fillimisht kemi 10 ditë për të ndjekur dinamikën dhe duke pasur parasysh që ky 10 ditësh ka goxha peshë në përcaktimin e profilit që ka lufta jonë. Është e detyrueshme të ndjekim këtë 10 ditësh në funksion dhe të parashikimeve të mundshme dhe të përafërta që mund të bëjmë për periudhën kur armiku do të fillojë të tërhiqet.
I pyetur nësë në ditët e ardhshme do të ketë testime në masë, kreu i qeverisë u shpreh se për këtë çështje duhet të vendos Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Edi Rama: Diskutimi për testimet është botëror. Ne nuk jemi Amerika në asgjë farë. Në këtë rast ne jemi të bindur që komiteti ynë teknik i ekspertëve nuk ka asgjë më pak sesa çdo komitet teknik në botë, edhe në Amerikë po të doni ju. Strategjia e tamponëve është strategji që nuk e përcaktoj unë, nuk e përcakton qeveria, mediat, jo e jo gjinkalla këngëtare, e përcaktojnë ekspertët e komitetit teknik. Deri tani nuk besoj se keni vërejtje substanciale si po ecën situatë. Që tregon se tregon strategjia po funksionon. Ne do të bëjmë si të na thonë ekspertët. Kur të thonë ata që do bëhen më shumë teste ne do ti bëjmë dhe do zbatojmë urdhrin e tyre.
Qeveria nuk do të marrë asnjë masë lehtësuese për pagesën e ujit.
Edi Rama nuk ka ndërmend të marrë parasysh anulimin e PPP-ve siç ja kërkon kryetari i opozitës Lulzim Basha.
Edi Rama: Ne kemi bërë pezullimet dhe kemi pezulluar ato pjesë të aktivitetit që mund të pezullohen. Koncesionet tona janë shërbime për popullin shqiptar dhe jo që merren nga buxheti dhe i shkojnë 10 vetave siç thotë kënga e gjinkallës. Janë shërbime për popullin shqiptar. Nëse më thoni që duhet të heqim paratë që njerëzit vazhdojnë të bëjnë dializën ju them amanet mushkat por nuk i heqim.
Nëse më thoni të heqim paratë që të vazhdojnë të grumbullohen plehrat në vendet e caktuara ju them amanet mushkat por ne nuk i heqim. Nëse më thoni të heqim paratë për instrumenta mjekësorë dhe operacione kirurgjikale që vazhdojnë të mos bëhen me instrumenta të sterilizuar por të bëhen pa sterilizuar ju them amanet mushkat. Ndërkohë nga të gjitha ne kemi bërë riristrukturim brenda harkut të vitit.
Psh kemi ndaluar financimin e kontrollit shëndetësor bazë të check up se nuk bëhet check up. Kemi shtyrë pagesat për mbetjet në një pjesë, për këto e ka pasur fjalën Ministrja. Nuk kemi ndaluar shërbimet. Kemi marrë këto hapa, janë bërë. Është e rëndësishme dakordësia për të mos pasur probleme ligjore.
Ndërsa përsa i përket akuzave për tenderin për furnizimit e ushqimeve të rezervave të shtetit, Kryeministri e cilëson si një debat politik në kohë lufte.
Qeveria nuk ka parashikuar paketë lehtësuese për mediat, por edhe pse u kujdes të mos ironizonte sqaroi edhe pse e ka ngritur ERTV.
Edi Rama: Të gjithë do të marrin pjesën e vet të hallit. Prandaj mendoj që ka një shembull pozitiv nga qeveria dhe grupi parlamentar i PS, për heqjen dorë nga gjysma e pagës, jo se siç thuhet rëndomtë që për ne kjo është diçka që s’ka rëndësi, por sepse për të gjithë është koha që të shkurtojë shpenzimet.
Leftion Peristeri: E kuptoj që ERTV-ja do të jetë e hapur për informacion, por publiku informohet edhe përmes kanaleve të tjera.
Edi Rama: Ironinë mund ta përdorësh, por kur e përdor duhet të jesh i përgatitur që ta marrësh mbrapsht, por unë s’po ta kthej mbrapsht siç do ta meritoje, por të them këtë që ERTV-ja nuk kushton asnjë kokërr leku, pasi është një dritare në Facebook, që përdor video si të gjitha dritaret e njerëzve në këtë planet. Dakord? Dhe emri ERTV i është vënë që të gjithë ju bini në një grep qorrazi dhe të bëni këtë që bëni. Unë fola për shpenzimet familjare të të gjithëve, nuk fola për ERTV-në. Kam parasysh shkurtimeve që të gjithë që duhet të bëjnë.