Siç ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, që nga themelimi i saj për herë të parë, ka fituar mundësinë që të dërgojë kadet për t’u shkolluar në Akademinë e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si program shkëmbimi studentësh, mundësi kjo e ofruar nga Akademia e Forcave e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, falë bashkëpunimit të ngushtë në mes të SHBA-ve dhe shtetit të Republikës së Kosovës.
Kadeti i përzgjedhur është pikërisht ish-nxënësi i Gjimnazit “Hasan Nahi”, Albin Bytyçi, dërgimi i të cilit në këtë akademi prestigjioze është nder për Gjimnazin ku ai ka ndjekur mësimet.

Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës ka sqaruar se të gjitha testimet si dhe nominimet e kandidatëve, janë bërë në kuadër të bashkëpunimit në mes të Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kandidatët iu kanë nënshtruar testeve rigoroze, duke filluar nga Testi i Inteligjencës, Testi i gjuhës angleze ECL, Testi SAT si dhe Testi Fizik.
Albin Bytyçi, ka qenë kandidati i cili në bazë të performancës së testeve dhe kritereve të përcaktuara, është përzgjedhur nga Akademia e Forcave Ajrore të SHBA-ve për shkollim në kuadër të gjeneratës 2024.
Gjimnazi “Hasan Nahi” e uron Albinin që të përfundojë shkollimin sa më parë, e të kthehet për t’i shërbyer Republikës së Kosovës.