Ka shkuar në 584 numri i të prekurve në Shqipëri nga Covid-19.
22 raste të reja janë konfirmuar në 24 orët e fundit, ndërsa ka shkuar në 327 numri i të shëruarve.
Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik ka thënë se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 233 persona të dyshuar me COVID-19.
Sipas saj, nga rastet e reja 3 janë në Shkodër, 2 raste në Tiranë.
“Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në vatrën e Krujës ku kanë rezultuar pozitivë 5 persona dhe në Kurbin ku kemi 12 raste të reja. Deri në këto momente janë testuar 5775 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 584 raste. Gjatë 24 orëve të fundit, 13 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 327. Aktualisht në vendin tonë janë 231 persona të infektuar aktivë. Përqindja e të shëruarve është më e lartë krahasuar me të infektuarit aktivë dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave”, thuhet në njoftim.
Deri sot, 26 qytetarë në Shqipëri e kanë humbur betejën me këtë sëmundje.