Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë prania e virusit korona është zbuluar edhe tek 21 persona. Prej tyre 8 janë nga Shkupi, 6 nga Kumanova, 4 nga Prilepi dhe nga 1 i infektuar në Tetovë, Strugë dhe Pehçevë. Duke përfshirë edhe rastet e reja, numri i përgjithshëm i të prekurve nga koronavirusi shkon në 1442. Numri i viktimave vazhdon të shtohet, gjithashtu. Tre persona humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit, 2 nga Kumanova dhe një nga Shkupi, duke e çuar në 73 numrin e viktimave nga ky virus. Gjatë natës së kaluar janë bërë 279 testime.
Një lajm motivues në luftën kundër COVID-19 vjen nga Prilepi, ku një 85 vjeçare ka fituar betejën me këtë virus, duke u bërë pacientja më e moshuar që deri tani është shëruar. Përveç saj, ministria e shëndetësisë njofton se edhe 37 persona të tjerë kalojnë në listën e të shëruarve.
Ministria e Shëndetësisë informoi se edhe rezultatet nga testimi i dytë i Ministrit Filipçe dhe kryeministritteknik, Olives Spasovski janë negative. Dyshimet se zyrtarët mund të ishin infektuar me COVID-19 lindën pasi të njëjtët morën pjesë në mbledhjen e shtabit të krizave në Kumanovë, kryetari i së cilës një ditë më pas informoi se kishte rezultuar i prekur nga ky virus.
Gjatë natës së kaluar 65 qytetarëve u janë dhënë vendime për vetë-izolim, ndërsa 18 të tjerë kanë nënshkruar deklarata për vetë-izolim. Gjatë natës së kaluar nuk është regjistruar asnjë shkelje e këtyre masave. Ministria e Brendshme informon se 28 persona nuk e kanë respektuar orën policore, prej të cilëve 21 janë arrestuar. Prokuroria Themelore Publike- Shkup sot deri në Gjykatën Themelore Penale- Shkup dorëzoi propozim që 8 persona të gjobiten me nga 2 mijë euro, pasi të njëjtët nuk kanë respektuar kufizimin e lëvizjes./Alsat/