Ndërkohë që koronavirusi i ri (COVID-19) vazhdon të përhapet në SHBA me më shumë se një milion raste të konfirmuara, një zyrtar i lartë shëndetësor paralajmëroi se vala e dytë e pandemisë ishte e pashmangshme.
Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive theksoi se mund të jemi para një vjeshte të keqe dhe një dimri të keq nëse nuk vendosen kundërmasa për të luftuar COVID-19.
“Përparimi i bërë mund të zhbëhet nëse shtetet ndërmarrin shumë shpejt lehtësimin e masave kundër koronavirusit”, theksoi ai.
“Nëse jemi të pasuksesshëm, ose përpiqemi të hapemi para kohe dhe kemi shpërthime shtesë që janë jashtë kontrollit, kjo mund të jetë një reagim që na rikthen menjëherë në të njëjtën varkë që ishim para disa javësh”, deklaroi Fauci për CNN.
Ai shtoi se SHBA po shkon në drejtimin e duhur, por duhet të vazhdojmë të jemi partnerë në një mënyrë shumë aktive bashkëpunuese me shtetet.
“Që nga e mërkura, më shumë se një milion persona janë infektuar dhe të paktën 58 529 kanë humbur jetën nga COVID-19”, sipas Universitetit Johns Hopkins në shtetin e Maryland.
Që nga shfaqja në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, koronavirusi i ri është përhapur në të gjithë botën.