Shenjat e para që të dhënat e transmetimit të koronavirusit ishin përmirësuar, ishin të dukshme në të dhënat zyrtare gjermane, ndërkohë që vendi përpiqet të bëjë një lehtësim të kujdesshëm të masave të izolimit.
Riprodhimi ose niveli i infeksionit – nën vëzhgim të ngushtë nga autoritetet shëndetësore – u rrit përsëri në afro 1.0, që do të thotë se çdo person i infektuar ia kalon virusin një tjetri, sipas shifrave nga Instituti Robert Koch (RKI) për kontrollin e sëmundjeve, që u publikuan të hënën.
Në vend ka pasur debate të mëdha mediatike dhe politike, pasi kancelarja Angela Merkel paralajmëroi shtetet federale të Gjermanisë kundër heqjes së izolimit kaq shpejt.
Që nga mesi i muajit prill, niveli i infeksionit ishte ulur në 0.7, para se të rritej përsëri. Ndërkohë, shkalla e vdekshmërisë nga COVID-19, gjithashtu është duke u rritur dita-ditës.
Deri të martën, kishte arritur në 3.8 përqind, por mbetet shumë më poshtë se disa vende fqinje si Franca. Të dhënat e fundit treguan 156.337 raste në Gjermani dhe 5.913 vdekje.
Rritja e niveleve të infeksionit dhe vdekshmërisë mund të përbënte një mister për autoritetet, pasi popullata po fillonte të gëzonte disa liri të rikthyera.
Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn, herët në prill, shpalli se pandemia ishte “nën kontroll” në Gjermani, pasi Merkeli dhe kryeministrat e shteteve ranë dakord që dyqanet më të vogla mund të hapeshin dhe disa nxënës të ktheheshin në shkolla.
Ndërkohë, disa biznese të mëdha si gjigandi i makinave Volkswagen kanë rifilluar prodhimin ditët e fundit. Tani të dhënat më pak inkurajuese do të jenë pjesë në diskutimet e kancelares me drejtuesit rajonalë ditën e enjte.
Deri më tani, 6 maji pritej të sjellë lehtësim të mëtejshëm të kufizimeve. Lutjet e Merkelit për të mos nxituar hap pas hapi nga frika se do të përkeqësohej sërish përhapja e virusit, u hodhën poshtë.
“Edhe nëse supozojmë se një person infekton 1.1 të tjerë, ne do të arrinim kufijtë e asaj që sistemi ynë shëndetësor dhe shtretërit e kujdesit intensiv mund të menaxhojnë në tetor,” paralajmëroi ajo në fillim të këtij muaji.
“Nëse supozojmë një normë prej 1.2 … do të arrinim në kufirin e sistemit shëndetësor në korrik. Dhe me një normë 1.3, kufiri do të ishte në qershor,” shtoi ajo.
Merkel u bëri thirrje qytetarëve që t’u përmbahen masave të rrepta të distancimit social që janë akoma në fuqi, duke i kufizuar ata që të takojnë vetëm një person tjetër nga jashtë familjes së tyre, në një distancë prej 1.5 metrash.
Ndërkohë, 16 shtetet federale të Gjermanisë e kanë bërë të detyrueshme mbulimin e hundës dhe gojës në hapësira publike, siç janë dyqanet dhe transporti publik.