Bilanci i viktimave nga koronavirusi në SHBA mund të jetë shumë herë më i lartë së ai i raportuar.
Ky është përfundimi në të cilin dalin dy nga mediat më të rëndësishmë amerikane, duke marrë në konsideratë një sërë faktorësh.
Kështu, një investigim i New York Times zbuloi se në 5 javë, nga 8 marsi deri më 11 prill, sipas të dhënave nga Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, numri total i vdekjeve në 7 shtete ku mbizotëron koronavirusi u rrit me 50% mbi normalen. Shtetet në fjalë janë Nju Jorku, Nju Xhersi, Miçigan, Masaçusets, Ilinois, Merilend dhe Kolorado.
Investigimi vëren se rritja e papritur e numrit total të vdekjeve gjatë pandemisë, në shumicën e rasteve i është atribuuar shkaqeve të tjera, por në fakt ka pasur lidhje me Covid-19.
Nga ana tjetër ABC News, raporton se janë kryer vetëm 5.5 milionë teste, thënë ndryshe vetëm 2% e popullsisë amerikane.
Sipas medias, ky është një numër testesh shumë i ulët prandaj dhe bilanci i viktimave mund të mos jetë i saktë, pasi gabimet në statistika mund të jenë rezultat edhe i testimeve të pasakta.