Kjo pikturë e llojit afresku është punuar me ngjyra të bukura pastele nga materialet natyrore dhe ky fakt, si dhe shtresat e trasha të hirit të cilat e kishin mbuluar Pompein pas shpërthimit të vullkanit Vezuv në vitin 79 të erës sonë e kishin ruajtur afreskun në gjendje shumë të mirë edhe pas gati 2000 vjetëve. Gati në të njëjtën kohë, por në një shtëpi tjetër është gjetur afresku shumëngjyrësh me paraqitje të një episodi mitologjik të Narcisit në momentin kur ai shikon veten në sipërfaqe të ujit kur edhe, sipas mitologjisë, dashurohet në vetveten.
Në Pompei është gjetur edhe një përkrenare prej bronzi e ndonjë gladiatori “murmillo” i cili falë faktit që ka kreshtën e lartë në formë fin peshku quhej “murmillo.” Është kjo njëra nga 250 helmetat e gladiatorëve të gjetura në Pompei gjatë viteve të kaluara, gjë që nuk habit kur dihet që në këtë lokalitet gjendej njëra nga shkollat e mëdha për trajnimin e gladiatorëve, të cilët merrnin pjesë në duele e luftime anembanë Perandorisë Romake.
Në lokalitetin Herculanum afër Pompeit, i cili po ashtu është shkatërruar në shpërthimin e vullkanit Vezuv në vitin 79 të erës sonë, kur ishin mbytur të gjithë banorët e këtyre dy vendbanimeve, është bërë një gjetje sensacionale dhe deri më tash, unike. Fjala është për gjetjen e kufomës së një anëtari të Kolegjit të kultit të Augustit, e cila, si edhe të gjitha kufomat e tjera humane apo të kafshëve në Pompei e Herkulanum, ishin gjetur totalisht të karbonizuara për shkak të temperaturës prej 370 deri 520 gradë celsius.
E veçanta e kësaj gjetjeje është që edhe pse kafka ishte karbonizuar, megjithatë është ruajtur një pjesë e pakarbonizuar e trurit, në të cilin janë identifikuar proteinat e ndryshme dhe acidet e yndyrave që janë pjesë përbërëse të indit të trurit dhe të flokëve.
Artefaktet reprezentative nga periudha romake
Gjetjet e indeve të ruajtura të trurit janë jashtëzakonisht të rralla në arkeologji, dhe ky është rasti i vetëm i gjetjes së mbetjeve të trurit njerëzor të ruajtura falë efektit të temperaturave të larta. Ne lokalitetin Somerset afër Glastonbury në Britaninë jugperëndimore janë zbuluar varrezat e aristokratëve romakë, që i përkasin kohës pas pushtimit romak, sipas gjasave, të shekullit I të erës sonë. Varret janë të punuara me pllaka guri dhe ishin të mbuluara në formë çatie me rrasa, dhe brenda tyre janë gjetur mjaft enë prej qeramike, stoli, monedha nga koha e perandorit Vespasian (69-79) dhe pjesë të armëve luksoze. Supozohet që është fjala për të ndjerë indigjenë keltë, të cilët kishin pranuar mënyrën e jetesës romake duke gëzuar status të lartë shoqëror dhe kishin jetuar në një vila rustica romake në afërsi.
Në Francë, respektivisht në qytetin Lyon, gjatë kërkimeve sistematike arkeologjike janë zbuluar mbetjet e një lagjeje ushtarake romake të përbërë nga një kompleks i tërë objektesh ushtarake. Me këtë rast janë zbuluar: një shtëpi banimi, një fortifikatë dhe një depo në të cilën ruheshin armët dhe pajisjet ushtarake.
Me këtë rast janë zbuluar: një shtëpi banimi, një fortifikatë dhe një depo në të cilën ruheshin armët dhe pajisjet ushtarake. Në bazë të karakteristikave të ndërtimit dhe të gjetjeve të materialit tjetër përcjellës arkeologjik supozohet që kjo lagje i përket periudhës kohore të shekullit II të erës sonë dhe që këtu në vitin 197 të erës sonë ishin ndeshur legjionet e perandorit Septimius Severit me ato të Klaud Albinit. Në Hrubiesz w Lublin, në Poloninë Juglindore janë gjetur 1700 monedha (denarë të argjendtë) romake nga gjysma e dytë e shekullit I deri në shekullin III të erës sonë, të cilat konsiderohen thesari më i madh i monedhave i gjetur në Poloni, meqë monedhat më të vjetra bartin portret të perandorit romak Nerva (96-98 të e.s.), ndërsa ato më të reja janë të kohës së perandorit Septimius Severus (193-211).
Arkeologët polakë supozojnë që këtë monedha, vlera e të cilave ishte e njëjtë me vlerën e pagës gjashtëvjeçare të një legjionari romak (paga vjetore e ushtarit në legjion ishte 300 denarë), kishin qenë të futura në një arkë prej druri apo strajcë prej lëkure të dekoruar me pjesë bronzi dhe argjendi. Supozohet që këto monedha i kishte fshehur ndonjëri nga vandalët të cilët jetonin aty me shpresën që do të kthehet prapë këtu dhe t’i rimarrë monedhat, duke ikur nga sulmet e gotëve, të cilët kishin ardhur nga Skandinavia.