Nga 14 rastet pozitive me Covid-19 të publikuara mbrëmë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, nëntë janë nga komuna e Gjilanit.
Kjo ka bërë qe qeveria komunale të pezullojë punën në repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal në Gjilan, meqë një doktor, dy infermiere dhe një tjetër punëtor janë infektuar me koronavirus.
Në këtë komunë thonë se burimi i infeksionit është një infermiere e cila punon në një klinikë private në Prishtinë, nëna e së cilës është pjesë e ekipit mjekësor në repartin e Pediatrisë së Gjilanit.
Shërbimet e këtij reparti janë bartur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërkohë sonte priten rezultatet edhe për 70 persona të tjerë që kanë pasur kontakt me të infektuarit e fundit.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli tha për KosovaPress se burimi i infeksionit është një infermiere, e cila punon ne një klinikë private në Prishtinë.
“Burimi i infeksionit është Prishtina në këtë rast, është një klinikë apo spital privat, një infermiere e qytetit të Gjilanit është punëtore e asaj klinike dhe nga infektimi i saj parmbrëmë dhe nga lista e dorëzuar dhe mostrat e marra rreth 28 kanë qenë, nëntë kanë rezultuar pozitivë. Janë kryesisht mostra pozitive të familjarëve të saj dhe janë mostra pozitive të ekipeve mjekësore në repartin e Pediatrisë për shkak se nëna e saj ka qenë pjesë e ekipit mjekësor. Janë dy anë të infeksionit që lidhen ekskluzivisht me Prishtinën. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë”, deklaroi Ismajli
Në komunën e Gjilanit janë marrë rreth 70 mostra dhe në mbrëmje pritet rezultati i tyre, çka edhe përcakton si do të veprohet tutje me repartin e Pediatrisë.
Ismajli thotë se varësisht prej rezultateve që dalin sonte, do të dalin me rekomandime për shtrëngim masash kufizuese.
“Është një dozë e frikës për shkak se lista është rritë sot sepse i kemi dy anë të infeksionit, është dashur të merren mostrat e ekipeve mjekësore që kanë qenë pjesë e Pediatrisë, pacientëve që kanë qenë në këtë repart mjekësor, gjithashtu kemi marrë edhe mostra të tjera, lista të kontakteve të familjarëve të këtyre nëntë të prekurve, lista ka shkuar në 70 sot. Ne po presim sonte numrin e mostrave dhe nesër në mëngjes si ekip do të dalim me rekomandime finale. Nuk kemi dashur të hyjmë në analiza të tjera derisa këto lista të kontaktit sonte nuk konfirmohen qofshin pozitive apo negative”, thotë ai.
Ai thotë se në repartin e Pediatrisë nuk ka pasur pacientë të shtrirë dhe shërbimet nga ky repart janë bartur ne Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan dhe qendra të tjera të qytetit dhe fshatrave.
E drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Nusret Hajrullahu, thotë se sot është testuar i gjithë stafi i Pediatrisë dhe se varësisht nga rezultatet që do të dalin pritet edhe riorganizimi i punës në këtë repart.
“Sot është bërë testimi i pjesës së mbetur të stafit mjekësor dhe stafit ndihmës, presim rezultatet e sotme dhe të bëjmë një riorganizim të shërbimit të Pediatrisë pasi të bëhet përfundimi i rezultateve të sotme. Janë në vetëizolim për shkak të pritjes së rezultateve të testimit dhe për shkak të kontaktit qe kanë pasur me katër raste të rezultuar pozitiv”, thotë ai.
Pezullimi i punës në repartin e Pediatrisë shënon rastin e parë në Kosovë të mbylljes së një klinike të tillë të shërbimit publik për shkak të koronavirusit.
Aktualisht në komunën e Gjilanit janë 58 persona të infektuar me Covid-19.
Ani pse ditët e fundit IKShP raportoi për numër të vogël të personave pozitivë me Covid-19, mbrëmë njoftoi për 14 raste te reja, prej tyre nëntë vetëm nga Gjilani, dy nga Prizreni, një nga Pejë dhe nga një rast në Vushtrri dhe Prishtinë.
Maji ka nisur me lehtësim të masave kufizuese në Kosovë duke shënuar edhe zvogëlim të numrit të rasteve me koronavirus dhe duke rritur numrin e personave të shëruar.
E kjo ka krijuar një relaksim të një numër i madh i qytetarëve ku rrugët e qyteteve janë mbushur nga njerëzit e që nuk ka është kaluar pa u vënë re nga ekspertët të cilët kanë tërhequr vërejtjen që masat duhet të respektohen ndryshe rrezikohet ndonjë valë e dytë e sëmundjes.