Parlamenti ka miratuar ligjin për përjashtimin nga pagesa e tatimit mbi vlerën e shtuar të jahteve dhe mjeteve të tjera lundruese me qëllim argëtues, mjafton që ato të jenë prodhim i 20 viteve të fundit.
Në këtë mënyrë, subjektet e këtij ligji nuk do të paguajnë TVSH të cilën shqiptarët e paguajnë thuajse për çdo produkt. Qeveria është shprehur se ky ligj synon të forcojë turizmin, por opozita e quan një ligj luksi, dhe i kujton shumicës premtimet elektorale me heqje TVSH-je që nuk janë mbajtur.
Ministri i Turizmit Blendi Klosi deklaroi se; “Nuk ka asnjë humbje në buxhetin e shteti pasi kjo industri nuk ekziston tek ne. Me këtë ne synojmë të bëhemi një vend atraksioni për industri të re që duhet të ndërtohet në Shqipëri. Që ekziston në të gjitha vendet e Mesdheut.”
Opozita ju kujton socialistëve premtimet e pa mbajtura elektorale në lidhje me TVSH-në.
Deputeti Myslim Murrizi u shpreh: “Është një ligj luksi. Do të isha shumë dakord që ta votoja me të dyja duart nëse do na kishin sjellë në këtë parlament, ligj për të heq 370 lekë litrin e akscizës së naftës së bujqësisë. Do të votoja sikur t’u hiqnit TVSH-në ushqimeve bazë. Po citoj 1000 premtimet tuaja në mitingjet e 1 milion shuplakave…”
Edhe Partia Demokratike e ka cilësuar këtë ligj si klientelist dhe pa përfitime të drejtpërdrejta në ekonomi.