Një lojtar i klubit të elitës së Shqipërisë në futboll, Bylis, ka rezultuar pozitiv me koronavirus dhe është izoluar në spitalin në Fier. I gjithë ekipi do t’i nënshtrohet testimeve sot dhe në rrezik është ndeshja e nesërme e Bylisit me Tiranën, shkruan “Panorama”.
Panorama ka raportuar se lojtari i infektuar dyshohet se është Eridon Qardaku.
“Që në momentin e parë që kemi mësuar për ngjarjen, jemi në kontakt të vazhdueshëm për të vlerësuar situatën. I gjithë ekipi i Bylisit do t’i nënshtrohet testeve dhe brenda ditës së sotme do ketë një përgjigje. Nëse s’ka të prekur të tjerë, ndeshja do të luhet normalisht. Gjithsesi, më konkretisht do të flasim pas 12 orësh. Nga të dhënat tona, shokët e dhomës së lojtarit të prekur kanë rezultuar negativ dhe ky është një lajm i mirë. Gjithsesi, situata do të vlerësohet në orët në vijim”, ka deklaruar shefi i sektorit të garave pranë FSHF-së, Lysien Nurishmi.