Përfundon mbledhja e Këshillit Politik, e cila shërbeu për të përkthyer marrëveshjen e dakortësuar ditën e djeshme.
Katër negociatorët e Këshillit Politik kanë qëndruar në ambientet e Pallatit të Kongreseve për rreth një orë.
“Besoj se brenda javës që vjen do të mbyllim të gjithë paketën ligjore, për të materializuar marrëveshjen”, tha Gjiknuri, ndërsa shtoi se menjëherë më pas ajo do t’i kalojë Komisionit të Reformës Zgjedhore në Parlament.
Mbrëmë, Këshilli Politik arriti marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. Partia Socialiste hoqi dorë nga propozimi për departizimin e administratës zgjedhore, duke rënë dakord për ruajtjen e komisioneve me përfaqësues partiakë sikurse janë aktualisht.
Palët ranë dakord gjithashtu që të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, duke pranuar që kryetari të zgjidhet me konsensusin e shumicës dhe opozitës, ndërsa nënkryetari të zgjidhet nga opozita.
Po ashtu u ra dakord që votuesit të identifikohen në mënyrë biometrike në të gjithë vendin.