Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme tha se Kosova nuk duhet të vonohet në dialogun me Serbinë. Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se duhet lëvizur shpejt në këtë drejtim në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në BE e NATO.
Por pak orë pas këtyre deklaratave të presidentit Thaçi, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Thaçi nuk duhet të merret me kompetencat e Qeverisë së Kosovës.
Ajo ka kërkuar sqarim nga ana e presidentit Thaçi sa i përket çështjes së korrigjimit të kufijve.
“Në vend se të dojë të marrë kompetencat e qeverisë, presidenti i vendit duhet të përcaktohet njëherë e mirë për gjërat substanciale, që i garanton qytetarët e Kosovës se ka hequr dorë nga ideja e tij dhe Vuçiqit për korrigjim të kufijve, sepse herën e fundit në ueb-faqen e presidentit, kemi parë që ende e ka opedin e tij në lidhje me atë se presidentët dhe kryeministrat mund të ndërrohen, por se korrigjimi i kufijve duhet të ndodh”, ka thënë Osmani para gazetarëve.