Teksa mazhoranca dhe opozita jo parlamentare arritën një marrëveshje për reformën zgjedhore, opozita në Kuvend vijon të jetë kundër.
Përmes një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi ata kërkojnë një takim urgjent, pasi sipas tyre kjo marrëveshje është në shkelje të legjitimitetit të Kuvendit të Shqipërisë, pasi i imponohet vendimmarrjes sovrane të këtij institucioni.
“Në frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila përcakton qartë në Nenin 81, pika 2, germa “c” se ndryshimet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, si opozitë parlamentare kemi propozuar dy kushte të panegociueshme, plotësimi i të cilave sjell votimin tonë në Kuvend: A) Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë i ri, jo një arnim skandaloz i Kodit të vjetër Zgjedhor ku shkelen me të dyja këmbët rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ata që ikën nga Parlamenti nuk mund ta mbajnë peng as parlamentin as procesin zgjedhor në Shqipëri sipas hesapeve të tyre, qoftë edhe me bekimin e kryetarit të maxhorancës që sillet edhe si Ali edhe si Kadi sipas hesapeve të tij.
B) Shumica në Kuvendin e Shqipërisë duhet të na krijojë kushtet dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur, PËR KALIMIN NGA LISTAT E MBYLLURA TEK LISTAT E HAPURA”, lexohet në letrën e opozitës parlamentare.
Ata kërkojnë që brenda 48 orësh të thërritet një tryezë dialogu midis tyre dhe përfaqësuesve të mazhorancës, “ku vetëm prania e kryetarit/kryeministrit Rama do të ishte prova e seriozitetit të tryezës”.
Nëse kjo nuk ndodh, grupet parlamentare të opozitës shprehen se nuk do ta votojnë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore.