Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar se zgjedhja e mundshme e Lutfi Hazirit në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës do t’i paraprinte krijimit të një koalicioni të ardhshëm qeverisës mes LDK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Konjufca ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se është i bindur se Haziri, aktualisht nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i Komunës së Gjilanit, parapëlqen një koalicion me PDK-në e Kadri Veselit.
“Besoj në këtë. Është bindje e imja që ky është pozicionimi i tij në momentin që merr lidershipin e partisë”, është shprehur Konjufca.
“Jam i bindur për këtë gjë”, ka theksuar udhëheqësi i deputetëve të VV’së në Kuvendin e Kosovës.
“Pra, nëse fiton Lutfi Haziri, koalicionit VV-LDK i zbresin 30 për qind [të gjasave], edhe ndodh e kundërta: Koalicioni LDK-PDK hip në 70 për qind për nga mundësia”, është shprehur ai.
Sipas Konjufcës, “ajo që do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme në LDK do të ketë konsekuenca edhe për zhvillimet politike, edhe për Kosovën në përgjithësi”.