Numri i rasteve të konfirmuara me virus korona në Shtetet e Bashkuara kapërceu shifrën 2 milionë, ndërkohë që autoritetet shëndetësore kanë thënë se janë duke regjistruar rritje të numrit të të prekurve me sëmundjen Covid-19.
Ekspertët amerikan besojnë se rreziku nuk ka kaluar dhe se me rihapjen graduale të shteteve amerikane dhe rikthimin në aktivitetin normal, mund të intensifikohen ritmet e përhapjes së infeksionit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Spanjës, në 24 orët e fundit janë diagnostikuar 167 raste me COVID-19, ndërsa një ditë më parë u regjistruar vetëm 84 raste. Kjo ndodh pasi të dielën u regjistrua numri më i ulët, vetëm 48 raste. Megjithatë, numri i të prekurve mbetet shumë i ulët në krahasim me kulmin prej 10 mijë të infektuarve në ditë në fund të marsit. Deri më tani, gjithsej 242 mijë njerëz janë infektuar kurse 27.136 njerëz kanë vdekur, vetëm në Spanjë.
Në 24 orët e fundit, në Francë janë regjistruar 23 vdekje dhe 545 raste të reja infektimi, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve është rritur në 192 mijë.
Në fazat e para të pandemisë, besohej se koha e nxehtë mund ta ngadalësojë përhapjen e tij. Por, kjo ide është zbehur pasi virusi ka vazhduar të përhapet në hemisferën veriore edhe gjatë pranverës.
Virusi korona ka prekur mbi 7.4 milionë njerëz në gjithë botën. Prej tyre, mbi 3.7 milionë janë shëruar dhe mbi 419 mijë kanë vdekur.