Janë më pak të rrezikuar, por jo të paprekshëm nga Covid-19.
Që nga fillimi i pandemisë covid19 janë konfirmuar me koronavirus 88 fëmijë në Shqipëri.
“Kemi 88 fëmijë pozitivë, nga të cilët 65 janë negativizuar domethënë aktiv janë vetëm 23 fëmijë por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk është i hospitalizuar, shumica janë asimptomatik.
Këto fëmijë zakonisht janë zbuluar nga kontaktet pra nga hulumtimi epidemiologjik dhe kanë qenë pjesëtarë të familjeve ku janë zbuluar raste pozitiv tek adultët”, u shpreh mjekja.
Mjekja pediatre infeksioniste në pediatri, Gjeorgjina Lito tregon për Report se me hapjen e çerdheve dhe kopshteve rritet mundësia e marrjes së virusit.
“Numri më i madh i fëmijëve është nga Tirana, shkon paralel me numrin e rasteve pozitive. Grupmosha dominuese e rasteve të fëmijëve është mbi 5- vjeç . Sigurisht që me hapjen e institucioneve të frekuentimit fëmijnor rritet kontaktiozitetit dhe kontaminimi. Këto ditë janë ditët që ne presim nëse do ketë një përhapje ose kontaminim brenda këtyre institucioneve”-tha Lito.
Pavarësisht se nuk kemi asnjë rast të hospitalizuar të fëmijëve, pavijon në pediatrinë infektive është gati me 12 shtretër.
“Kemi ndarë një pavijon që është një kat më vete, që është i izoluar nga të gjithë pjesët e tjera të spitalit dhe që ka një hyrje më vete nga shkallët. Deri tani kemi 12 shtretër në dispozicion, të përgatitur 2 shtretër në repartin e terapisë intensive me gjithë respiratorët përkatës dhe izolimet që duhen bërë”, shtoi Gjeorgjina Lito.
Infektimin e disa shërbimeve në QSUT, mjekja e komenton si diçka të pashmangshme për një institucion shëndetësor, edhe pse pranon që ka pasur neglizhencë dhe mos zbatim të rregullave mbrojtëse.
“Ka pasur disa raste pozitive në disa shërbime të QSUT nga 53 shërbime që janë dhe 2700 vetë personel. Sigurisht që ka pjesë të neglizhencës, të mos zbatimit të rregullave të mbrojtjes personale, por duhet të dihet që kjo gjë është e pashmangshme për një institucion shëndetësor”, tha mjekja
Pavarësisht se shifrat janë në rritje, sipas mjekes nuk janë ndezur ende dritat e kuqe të alarmit ndaj ka dhe një apel për të gjithë.
“Akoma jemi në një situatë që nuk janë ndezur dritat e kuqe të alarmit sepse hospitalizimet janë të kontrolluara, se numrat e pacientëve në terapi intensive janë të kontrolluara. Mos të flemë të qetë akoma e kemi virusin nëpër këmbë, nuk e dimë se ku ndodhet, më mirë të jemi më të kujdesshëm se sa të neglizhojmë të jemi pre e infektimit tonë apo pjesëtarëve të dashur të familjes”, bëri apel mjekja.