Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fier, në inaugurimin e Fabrikës më të re të prodhimit të pjesëve automotive të Kompanisë “Yura Corporation Albania”, një investim gjigand prej rreth 1 miliard lekësh.
Rama vlerësoi faktin se “kjo kompani ka punësuar deri më sot 600 qytetarë shqiptarë dhe pritet të krijojë edhe 700 vende të reja pune vitin e ardhshëm”.
“Reformat e Qeverisë Shqiptare dhe vëmendja e shtuar e AIDA ndaj investitorëve kanë dyfishuar stokun e investimeve të huaja në vend në 2019 krahasuar me gjashtë vite më parë”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se “Qeveria është e angazhuar të zvogëlojë efektet e pandemisë në prezencën e investitorëve të huaj të vend, për të garantuar një nivel mbi 1 miliard euro investime të huaja në Shqipëri për vitin e tretë radhazi”.
“Më pak se një vit më parë ne ishim këtu për të nisur një transformim që në atë moment ishte një ëndërr dhe sot rikthehemi për të admiruar këtë ëndërr që ka nisur të realizohet. Faktikisht kjo është një korporatë e madhe globale e cila sapo ka vënë këmbën në Shqipëri dhe ambicia e korporatës është që të zgjerohet. Fabrika ka standarde të plota ndërkombëtare në lartësinë e emrit të kompanisë dhe në vijim pritet që numri i të punësuarve të kalojë 2 mijë dhe sasia e prodhimit të eksportuar të rritet në 25 e më tutje në 100 milionë euro brenda një 3-vjeçari”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi se “ky është një investim jashtëzakonisht i rëndësishëm për Fierin, për profilin që ka dhe është një investim i rëndësishëm për fuqinë tërheqëse që krijon duke e bërë më të lehtë rrugën e thithjes së investimeve të tjera në fushën e prodhimit për automobilët”.
“Përpara se të vinte këtu në Fier, kompania kishte prani të zgjeruar në 12 shtete dhe në CV-në e saj numëroheshin 60 fabrika të markave më të njohura në botë. Por, pasi ka ardhur këtu ajo që ne na bën përshtypje dhe falënderues për korporatën është fakti që një sërë kompanish të tjera në këtë fushë kanë shprehur drejtpërdrejt interes që të investojnë në Shqipëri. Është një industri vërtetë e domosdoshme në kornizën e përgjithshme të prodhimit në Shqipëri”, tha Rama.
Nga ana tjetër, ai vlerësoi kulturën e punës dhe mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve të punës dhe eksperiencën që krijohet hap pas hapi falë kompanive të kësaj kategorie të “Champions League” botërore në ekonomi”.
“Shkojnë përtej vlerës financiare dhe shifrave konkrete dhe energjizojnë të ardhmen e ekonomisë shqiptare në mënyrë të pazëvendësueshme”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “për ne ne ka shumë rëndësi që punonjësit të paguhen sa më mirë dhe përfaqësuesi i kompanisë më tregoi se rritja e pagave do të përshkallëzohet në bazë të përfitimit të përvojës”.
“Nëse në momentin e parë pikënisja është paga minimale, në vijim në bazë të eksperiencës do të rritet me 30% dhe bazuar në rritjen e volumit do të rritet në mënyrë të arsyeshme, pasi filozofia e kompanisë nuk është ajo e shfrytëzimit të krahut të punës, por një komunitet që ka përkatësi ndaj flamurit të kompanisë dhe ndihet pjesë në historinë e zhvillimit në shumë e shumë vende të botës, bazuar në eksperiencë dhe përparësinë e pazëvendësueshme të kapitalit të saj njerëzor”, tha Rama.