Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përmes një deklarate publike ka kërkuar nga skena politike në vend që të harmonizohet një strategji veprimi me një përfshirje sa më gjithëpërfshirëse pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
Në deklaratën e publikuar në Facebook, Limaj ka thënë se duke pas parasysh kontekstin nëpër të cilin po kalon procesi i dialogut me Serbinë, vendit i duhet që krerët politikë të bashkërendojnë veprimet për të dëshmuar që interesat e shtetit janë mbi ato individuale.
“Si asnjëherë̈ më parë, është përgjegjësi e udhëheqësve të forcave politike dhe institucioneve shtetërore të Kosovës që t’i lëmë anash emocionet tona njerëzore, sado të natyrshme që të duken, dhe të veprojmë me gjakftohtësi të madhe në interes të vendit. Është moment i fundit që të lëmë inatet dhe veprimet emocionale dhe t’i bashkërenditim veprimet tona që të dëshmojmë se vërtet interesat e shtetit tonë i vëmë mbi interesat individuale. Është moment i fundit që pozita dhe opozita t’i lënë mënjanë divergjencat që kanë dhe së bashku të harmonizojmë një strategji veprimi me një përfshirje sa më gjithëpërfshirëse. Bashkërenditja e politikave tona në këto momente shumë të rëndësishme do të dërgonte një mesazh të qartë dhe shtendosësh të qytetarët dhe të miqtë tanë̈ ndërkombëtarë që ia duan të mirën shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, ne do të kontribuonim për uljen e tensioneve dhe përforcimin e paqes në këtë pjesë të Evropës Juglindore që janë jetike në rrugëtimin tonë strategjik për integrimin e shtetit të Kosovës në BE dhe NATO. Vetëm të bashkuar dhe duke vënë në rend të parë interesat e shtetit të Kosovës, ne do t’i përballojmë me dinjitet të gjitha sfidat me të cilat jemi të ballafaquar”, ka thënë ai në deklaratën publike.