Aktivisti kamerunas, Andre Blaise Essama, ia ka vënë vetes para shumë dekadash një mision për t’i hequr qafe nga vendi i tij simbolet e epokës kolonialiste. Ai e ka nisur këtë punë shumë kohë para se shtatoret kolonialiste të rroknin vëmendjen e botës mbarë pas protestave të lëvizjes “Black Lives Matter”.
Qëllimi i tij kryesor ka qenë heroi francez i Luftës së Dytë Botërore, gjenerali Philippe Leclerc, në qytetin më të madh të vendit të tij, Douala.
“Ia kam prerë kokën Leclercut shtatë herë dhe ia kam rrëzuar shtatoren 20 herë”, ka treguar Essama në një rrëfim të gjatë për BBC-në, shkruan KOHA.
“E kam kryer punën duarthatë, por së pari ushtroj njëfarë magjie të të parëve”, ka shtuar ai.
Ai mëton që shtatoret kolonialiste t’i zëvendësojë me heronj kamerunas dhe afrikanë, por do të bëjë një përjashtim për ata që kanë bërë fushatë për “të mirën e njerëzimit”.
Ai në mënyrë të veçantë po angazhohet për vendosjen e një shtatoreje të Dianës, princeshë e Uellsit.
“Diana angazhohej kundër racizmit dhe mbronte njerëzimin. Ne e kemi dashur shumë këtu në Kamerun”, ka treguar Essama.
Ai ka ia ka vënë syrin edhe një shtatoreje të Gustav Nachtigalit, i cili kishte mbërritur në Kamerun më 1884 për të krijuar një perandori gjermane.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, trupat britanike dhe franceze shtrënguan gjermanët që të largoheshin, pastaj duke ndarë ndërmjet vete territorin e dikurshëm të pushtuar nga gjermanët.