Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi.
Në ditën e dytë të vizitës në Itali, Ruçi u prit nga Presidentja e Senatit italian, Maria Elisabetta Alberti Casellati dhe Presidenti i Dhomës së Deputeteve, Roberto Fico.
“Procesi i Integrimit në BE mbetet nxitja e vetme për vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria i është mirënjohëse Italisë për rolin pozitiv ndaj Kosovës, veçanërisht për votën e saj në Interpol dhe qëndrimin e saj mbi Forcat e Sigurisë së Kosovës. Shqipëria mbështet Kosovën në procesin e integrimit evropian. Populli kosovar e meriton liberalizimin e vizave dhe Shqipëria inkurajon vendet e BE-së të votojnë për liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur. Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një marrëveshje ligjore detyruese për njohjen reciproke që sjell anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtimin e drejtë të pakicave, bazuar në Kushtetutën e Kosovës”, tha Ruçi.
Presidentja e Senatit Casellati nënvizoi vazhdimin e bashkëpunimit me Shqipërinë, ndërsa vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria.
“Bashkëpunimi me Shqipërinë është solid, i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm, i mbështetur në miqësinë e fortë midis të dy popujve. Ne vlerësojmë reformat e kryera në Shqipëri, sidomos reformën në drejtësi, një reformë e vështirë, e cila po rindërton besimin e qytetarëve te drejtësia. Mbështetja jonë për integrimin e Shqipërisë buron nga roli i Italisë si themeluese dhe kontribuese e paqes, demokracisë dhe ekuilibrave të BE-së. Italia është qartësisht në mbështetje të afrimit dhe pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, pohoi Ruçi./Ora News/