Ka përfunduar mbledhja e Këshillit Politik, teksa palët janë përplasur për çështjen e listave të hapura, më konkretisht mbi masën e hapjes së tyre.
Përfaqësuesi i PS-së Gjiknuri është shprehur se maxhoranca pranon që listat të hapen dhe në ndryshimet kushtetuese të shënohet që listat të hapen jo më pak se 2/3, teksa më tutje me negociata më të mëvonshme me opozitën, mund të vendoset edhe hapja e listave me 100%.
Gjiknuri: Një gjë është për tu përshëndetur që risitë kushtetuese janë gjetur në vend edhe nga opozita jashtë parlamentare. Në dokumentin e tyre ata mbështesin hapjen e listave të kandidatëve. Amendimet e sotme kushtetuese nuk e pengojnë atë që kërkon opozita e bashkuar.
Ka rëndësi që PD dhe opozita u kthye në tavolinën e negociatës, fatkeqësisht duke humbur kohë. Koha nuk mund të ndalojë sa herë ato janë kundër dhe të rifillojë sa herë janë pro. Ndryshimet kushtetuese mundësojnë hapjen e listave dhe së dyti çështja e koalicioneve edhe aty u përmend që të zgjedhim modelet aktuale perëndimore që kanë për shtat hapjen e listave. Kodi zgjedhor i ka mundësitë mjafton të jemi të gatshëm ti detajojmë këto rregulla. Hapja e listave ka sfida të mëdha administrative dhe nga pikëpamja e menaxhimit. Le të gjejnë modele të vendeve që kanë lista të hapura dhe që kanë koalicione të tilla zgjedhore dhe le t’i marrim si modele e t’i implementojmë.
Por ndryshe kanë folur përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili. Përfaqësuesi i PD-së Bylykbashi deklaroi se në fakt shqetësim kryesor i kryeministrit nuk janë listat e hapura, por ndalimi i koalicioneve parazgjedhore.
Bylykbashi: Opozita bëri prezent qëndrimin e saj të qartë në lidhje me një çështje me rëndësi themelore, debatin në lidhje me ndryshimet në sistemin zgjedhor. Nëse do të shkohet drejt hapjes së listave, ato duhen hapur 100%, me kusht që formula për koalicionet dhe ndarja e mandateve të mos ndryshojnë. Ajo që është fare e qartë është që Rama dashurinë e tij të fundit për listat e hapura e ka një alibi për të hequr koalicionet zgjedhore.
Përfaqësuesi i maxhorancës refuzoi propozimin tonë. Edhe pse i treguam modelet në vnde të tjera të botës, (Belgjika, Holanda, Italia, Letonia etj) maxhoranca nuk pranoi. Nëse nuk i duket model maxhorancës ajo që është bërë në 17 vite, atëherë kjo është e qartë se përpjekja këtu e Ramës është për të vrarë mundësinë e partive politike për t’u bashkuar e garuar. Ne presim nga maxhoranca të reflektojë dhe kjo është një çështje e këshillit politik, e duhet trajtuar pikërisht në këshillin politik. Ne erdhëm me propozim.
Vasili: PS sot qartësoi sot në Këshillin Politik, se çështja e listave e të hapura dhe se këtë gjë e kërkon populli nuk ishte asgjë, përveç se donin që të ndalonin koalicionet. Ne jemi dakord që të hapim listat. Për tu dhënë një detaj më shumë, se Gjiknuri na kërkoi ne që të gjenin 28 firma deputetësh për ta dërguar nismën në Kuvend.