Deklarata e fundit e aktorit të madh Robert Ndrenika se “… në të gjithë territorin e teatrit të ri, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla”, ka ndezur reagimin e fortë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e cila është kundërpërgjigjur, por me maturi dhe me respekt maksimal për figurën e mjeshtrit të skenës.
“Mbase profesor Ndrenika ka qënë i keqinformuar nga ata që duan të përdorin figurën e tij për të mbuluar zullumet e tyre, – shprehet Aleanca në reagimin e saj. – Pavarësisht se ai është shprehur herë pas here se preferon të qëndrojë i tërhequr, zullumqarët e gjejnë gjithmonë një mënyrë për ta rikthyer në skenën e kësaj tragjikomedie, në role episodike që nuk të shqiten nga mëndja kollaj, në funksion të maskaradës së tyre….
Mbase profesori i madh, nuk është informuar se projekti i ri, të paktën publikisht dhe ligjërisht, nuk ekziston ende; bshkia e Tiranës vetëm pak ditë më parë, shpalli tenderin për realizimin e tij,” nënvizon Aleanca.
Por, çfarë tha Robert Ndrenika, që provokoi sërish zemërim? Në një mesazh ai u shpreh:
Dje më thirrën regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli dhe inxhinier Bejleri, në një zyrë arkitekture dhe pashë skicat dhe projektin e ndërtimit të teatrit të ri. U kënaqa shumë.
Me k etë rast dua të bëj një falënderim (për dijeni edhe të mikes sime, gazetares Fatmira Nikolli) dua të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partinë Demokratike, sepse gjatë gjithë kohës që unë pashë këto skica si edhe projektin e teatrit të ri, pata parasysh vërejtjet dhe sugjerimet që kanë bërë Aleanca dhe PD-ja, duke dashur që në projekt, të jenë të pasqyruara të gjitha vërejtjet e tyre për teatrin.
Të gjitha këto vërejtje i gjeta të rregulluara në projektin e teatrit të ri. Për shembull, në të gjithë territorin e teatrit, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla. I gjeta të pasqyruara në atë projekt të gjitha kërkesat e tyre përveç njërës ‘që teatri do bëhet, aty ku ishte, por do bëhet shumë herë më i mirë nga sa ishte’. Teatri i ri, do të jetë me kushte bashkëkohore si shumë teatro europianë.
Me respekte të ndërsjella,
Robert Ndrenika”
Pikërisht ndaj këtij qendrimi, ka reaguar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që ka ngritu 7 padi nga qeverisë deri tani:
POSTIMI I PLOTË
“Pikërisht në momentin kur ishim në kulmin e betejës sonë ligjore ndaj abuzimeve dhe shkeljeve në lidhje me çështjen e ndjeshme të shëmbjes së Teatrit Kombëtar, aktori i madh i skenës Robert Ndrenika, u shpreh i kënaqur me projektin e teatrit të ri, pavarësisht se nuk e kuptuam se për cilin nga projektet e ka pasur fjalën meqë ka pasur disa syresh. Por a thua vallë, që çështja komplekse e teatrit, ku u përfshi fort edhe politika me ligje antikushtetuese, vjedhje të pronës publike, të ishte një cështje thjesht estetike ? Një përplasje pikpamjesh mes artistësh ? Sikur 17 Maji të mos kishte ekzistuar kurrë?
A thua vallë teatri i ri, duhej të ndërtohej duke shëmbur të vjetrin ? Apo vetëm toka e teatrit ishte e shenjtë dhe aspak trashëgimia dhe vlerat që kanë lënë ata që luajtën aty dhe bënë historinë e tij, ku bën pjesë edhe vetë aktori ynë i madh? Mos vallë fillimi ndërtimit të teatrit të ri duhej të ndodhte duke dhunuar artistët dhe qytetarët që po mbronim vlerat e trashëgimisë, duke i sulmuar me polici speciale të armatosur dhe shëmbja e teatrit të vjetër duhej të fillonte kur ata ishin ende brënda?
Gjithsesi, mbase profesor Ndrenika ka qënë i keqinformuar, nga ata që duan të përdorin figurën e tij për të mbuluar zullumet e tyre. Pavarsisht se ai është shprehur herë pas here se preferon të qëndrojë i tërhequr, zullumqarët e gjejnë gjithmonë një mënyrë për ta rikthyer në skenën e kësaj tragjikomedie, në role episodike që nuk të shqiten nga mëndja kollaj, në funksion të maskaradës së tyre.
Pastaj me humor të hollë, na jep një falenderim të pamerituar kur thotë se paskësh konstatuar se të gjitha sugjerimet tona (AMT dhe PD), ishin marrë parasysh, dhe na siguron se në projekt nuk parashikohen kulla, në asnjë centimetër katror të truallit të teatrit. Në fakt ne, por as edhe Pd nuk kanë qënë për teatër të ri duke shëmbur të vjetrin. Mbase falenderimi duhej të na vinte prej tij, kur e futëm teatrin përmes Europa Nostra në listën e shtatë vëndodhjeve më të rrezikuara në Europë dhe po bëheshim gati ta restauronim sipas projektit origjinal pa harxhuar asnjë shpenzim nga arka e shtetit shqiptar. Ndërsa sot pasi teatri është shëmbur, shqiptarët duhet të paguajnë nga taksat e tyre për ndërtimin e teatrit të ri, projekti i të cilit nuk është bërë publik, 30 milionë euro.
Mbase profesori i madh, nuk është informuar se projekti i ri, të paktën publikisht dhe ligjërisht, nuk ekziston ende. Bashkia e Tiranës vetëm pak ditë më parë, shpalli tenderin për realizimin e tij. Nëse paska një projekt fitues të fshehtë, këtu duhet denoncuar fillimisht mungesa e transparencës, përpara se të gjykojmë mbi vlerat e tij teknike.
Cila mund të jetë vallë garancia se projekti i ri nuk do të ketë kulla dhe sipërfaqes së teatrit nuk do ti merret asnjë centimetër, kur në dokumentat e hipotekës së teatrit sipërfaqja e tij figuron vetëm 1100 m2 nga 5500 m2 që ishte realisht? Në projektin e Bjarke Ingels, hapësira e ndërtimit është shumë më e vogël sesa ajo e truallit të teatrit, dhe bashkia asnjëherë nuk ka treguar se çdo bëjë me pjesën e mbetur të tij. Pavarsisht se kryetari i bashkisë ka dhënë e stërdhënë prova të llahtarshme se, jo vetëm që nuk i mban premtimet, por është një poet i mashtrimit, i aftë të gënjejë sy për sy, ditën për diell, ne duhet të besojmë në çdo rast se, garancia e gjallë e kësaj fjale të dhënë, është vetë profesori dhe artisti ynë i madh Robert Ndrenika.
Ta ndërtosh Teatrin e ri duke shëmbur të vjetrin së bashku me historinë dhe trashëgiminë që ai përfaqson, apo ta ruash atë dhe ta ndërtosh teatrin e ri diku tjetër ? Kjo është çështja.
Gjithsesi ne do të bëjmë çmos që trashëgimia e pashlyeshme, që aktori ynë i pakrahasueshëm Robert Ndrenika ka lënë, të ruhet në Teatrin e Rindërtuar aty ku ishte dhe siç ishte!
Alanca për Mbrojtjen e Teatritë Marrë nga gazeta Shqiptare