Partitë shqiptare në Malin e Zi do të dalin me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 30 gusht.
Kryetari i Forcës së re demokratike, Nazif Cungu deklaron se subjektet politike shqiptare në Malin e Zi kanë vendosur të bashkojnë forcat.
“Alternativa Shqiptare e kryesuar nga Nik Gjeloshaj, Forca e re demokratike e kryesuar nga Nazif Cungu, Lidhja Demokratike Shqiptare e kryesuar nga Nikollë Camaj, Unioni i Tuzit i kryesuar nga Fadil Kajoshaj dhe Levizja qytetare Perspektiva, e kryesuar nga Amir Hollaj, duke kuptuar rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit, kërkesën e qytetarëve, pritjen dhe ftesën e diasporës për bashkim, kanë rënë dakord që, në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, të dalin në një listë të përbashkët”, shprehet Cungu.
Ai thekson se “të bindur se një list është zgjedhja më e mirë, dhe me kërkesë të vëllezërve tonë nga diaspora, dhe insistimin e asamblistit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, që t’i japim mundësinë formimit të një liste të përbashkët, për të gjitha subjektet shqiptare, nënshkrimin e marrëveshjes, të paraparë për nesër në mesditë, kemi vendosur ta shtyjmë deri në momentin kur shpresat për një veprim të tillë të jenë shuar”.
“Ne, si subjekte të dëshmuara në bashkëveprim, edhe në këtë mënyrë dëshirojmë të dëshmojmë qëndrimin dhe kërkesën tonë për formimin e një liste të përbashkët shqiptare, për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit”, përfundon Cungu.