Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, Shtetet e Bashkuara i kanë regjistruar 57,540 raste të reja të koronavirusit.
Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi i ri në shtetin më të goditur nga pandemia shkoi në mbi 4.77 milionë persona, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 1,399 të vdekur dhe shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në 156,801.
Sidoqoftë, kjo nuk paraqet shifër rekorde të viktimave të virusit për 24 orë, siç është raportuar në një portal në Kosovë. Më 7 prill, ShBA-ja i kishte regjistruar mbi 1,800 të vdekur nga koronavirusi për një ditë, raporton BBC.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten bindshëm në vendin e parë në botë në listën e shteteve më të prekura pasi kanë mbi 4.77 milionë persona të infektuar. Në vendin e dytë është Brazili.
Ekspertët thonë se shifrat e vërteta janë më të larta, sepse ka pasur njerëz që kanë vdekur para se të testohen dhe se personat me simptoma të lehta nuk janë testuar fare.