Kanë kaluar pesë muaj nga ndeshjet e fundit, por futbolli evropian i klubeve kontinentale po rikthehet më në fund. Liga e Evropës rifillon të sot me ndeshjet e 1/8 së finales. Manchester Unitedi dhe Bayer Leverkuseni janë në mesin e skuadrave që do të luajnë ndeshjet e dyta të kësaj serie, që u pezulluan në muajin mars për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit, shkruan AP.
Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen në stadiumet e skuadrave që janë vendase përpara se fituesit që kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Evropës të shkojnë në Gjermani për një format të ri të kësaj gare me fazë nokauti. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen pa praninë e tifozëve. Në fakt, vetëm dy ndeshje të 1/8 finales do të zhvillohen në Gjermani. Getafe dhe Inter do të luajnë në Gelsenkirchen derisa Sevilla e Roma do të përballen në Duisburg. Këto skuadra nuk i kanë zhvilluar ndeshjet e para që ishin të parapara në mars, kështu që çerekfinalisti do të përcaktohet me vetëm një përballje. Trajneri i Interit, Antonio Conte, ekipi i të cilit të martën ka udhëtuar drejt Gjermanisë, ka thënë se synon kualifikimin në “Final 8” të Ligës së Evropës.
“Kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë, por synimi ynë është të vazhdojmë tutje”, ka thënë Conte për mediumet italiane.
Ndeshja mes Interit dhe Getafes do të zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00. Krahas kësaj ndeshjeje, do të luhen edhe tri përballje të tjera.
Manchesteri mendon për çerekfinalen
Manchester Unitedi nuk duhet të ketë asnjë problem të prenotojë vendin e tij në çerekfinale. Skuadra e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer ka një epërsi 5:0 nga ndeshja e parë kundër skuadrës austriake LASK Linz, përpara ndeshjes së kthimit që e luan në stadiumin “Old Trafford” të mërkurën (sot). Skuadra ukrainase Shakhtar Donetsk shpreson ta mbajë epërsinë 2:1 nga ndeshja e parë kundër Wolfsburgut, ndërsa Istanbul Bashakshehiri do të përballet në udhëtim me Copenhagenin, ekip të cilin e mposhti 1:0 në ndeshjen e parë. Të enjten, Wolverhamptoni do të përpiqet të vazhdojë garën në Ligën e Evropës që nga arritja në finalen e Kupës së atëhershme të UEFA-s në vitin 1972. Në ndeshjen e parë, Wolvesi ka barazuar me Olympiacosin (1:1). Bayer Leverkuseni është i vendosur për ta mbajtur epërsinë ndaj Rangersit prej ndeshjes së parë, të cilën e pati fituar në udhëtim me shifrat 3:1. Ndërkohë, Baseli, që të hënën luajti ndeshjen e fundit në Superligën zvicerane, e pret Eintracht Frankfurtin, ekip që e mposhti 3:0 në duelin e parë.