Çdo festë fetare, Lezha shndërrohet në qytetin ku zë vend më së miri thënia e At Gjergj Fishtës, “Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”. Edhe kjo Pashkë, bëri bashkë katolikë e myslimanë.
Festa e Pashkës bën bashkë katolikë e myslimanë në Lezhë. Nisma e tre viteve më parë është kthyer në traditë për qytetin.
Treni i Pashkës u mbush me fëmijë e vezë dhe udhëtoi në rrugët e Lezhës për ti bërë të gjithë pjesë të festës pa dallime fetare.
“Ndjehem e plotësuar dhe e kompletuar kur shoh këtë brez kështu, shpresë për të ardhmen”.
“Kemi Bajram e kemi Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë!” A ka mesazh më të bukur që përcjell bashkia e Lezhës?”
“Gëzuar të gjithë shqiptarëve!”
Altin Prenga i besimit katolik dhe Lirim Torba i besimit mysliman së bashku me Bashkinë e Lezhës, po e vijojnë traditën e mirë për të bashkëndarë edhe festat fetare.
Altin Prenga: Fytyra të lumtura të fëmijëve duke shpërndarë vezë, që janë simbol i Pashkës, duke shpërndarë gëzim, buzëqeshje.
Lirim Torba: Ne jemi mësuar ti festojmë festat bashkë dhe gjithmonë bashkë do ti festojmë.
Për kryebashkiakun e Lezhës, është tregues i harmonisë fetare dhe unitetit të lezhianëve.
Fran Frrokaj: Këtu mbizotëron paqja, harmonia e jashtëzakonshme fetare dhe politike. Lezha është një vend i qetë. Me këtë rast unë u bëj thirrje dhe politikanëve kudo që janë që të lëshojnë ca nga vetja e tyre.
Festat fetare janë gjithonë në veçanta në Lezhë, duke u kthyer në një mundësi për të promovuar kulturën dhe traditën si dhe bashkëjetesën fetare që ka qyteti./Ora News/