Pas pushimit prej tri javësh dhe mundësisë për të përpunuar përfundimin e trazuar në La Liga, Barcelona kthehet në aksion me ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Napolit, me të ardhmen e trajnerit Quique Setien që mbetet në dyshim.
Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën (sot) prej orës 21:00 në “Camp Nou”. Rezultati është i barabartë 1:1 pas ndeshjes së parë të zhvilluar në Itali, me fituesin që do të sigurojë kalimin në çerekfinale, që do të mbahet në Lisbonë më vonë gjatë këtij muaji, një zgjidhje për garën e ndërprerë në muajin mars shkaku i përhapjes së pandemisë COVID-19.
Barcelona javë më parë e mbylli edicionin në La Liga në pozitën e dytë, pas Real Madridit që e riktheu titullin e kampionit pas tre vjetësh. Edhe pse barazimi në ndeshjen e parë ndaj Napolit nuk ishte rezultat i keq për Barcelonën, paraqitjet e ekipit pas rifillimit të garave në La Liga pas pezullimit u kritikuan ashpër nga kapiteni Lionel Messi.
Messi pranoi se nëse Barcelona do të vazhdojë të ketë paraqitje të tilla, atëherë jo vetëm që nuk do të ketë shpresë për të triumfuar në Champions, por as nuk do të mund ta eliminojë Napolin.
Messi kërkoi ndryshime dhe pritet të shihet nëse ekipi i trajnerit Setien do të ketë një qasje tjetër ndaj Napolit, që për edicionin 2019/20 e fitoi Kupën e Italisë pas fitores në finale kundër Juventusit.