Rudina Hajdari nuk do të rreshtohet në radhët e partisë së re politike “Bindja Demokratike”. Hajdari tha në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi se lajmet për përfshirjen e saj në këtë forcë politike ishin të pabaza.
“Kam takuar në momente të ndryshme figura të larta brenda PD-së. Por kjo nuk do të thotë se unë jam në komplote të caktuara. Ishte një flluskë mediatike. Pak herë e kam takuar z. Patozi. Një foto me z. Patozi merrej si fakt. U duk si një komplot dhe si një gjë e fryrë. Nuk e di kush i bëri këto. Por të mos fokusohemi tek këto gjëra”, tha Rudina Hajdari në RTSH.
Hajdari, e cila kryeson grupin parlamentar të PD-së në parlament tha se fokusi i saj kryesor është zgjidhja e krizës politike.
“Problemi kryesor është zgjidhja e krizës politike. E vlerësoj krijimin e një force që përpiqet të përfaqësoj në mënyrë demokratike shqiptarët, demokratët apo këdo që do të bëhet pjesë e kësaj force. Zgjidhja e krizës është problematika kryesore”, vijoi Hajdari.
Sipas saj nëse ka vullnet, ekzistojnë ende mundësitë për zgjidhjen e krizës përpara zgjedhjeve vendore.