“OSBE-ja mund të kërkojë mënyra për të lehtësuar dialogun në Bjellorusi”.
Pas Presidentit të Këshillit Europian, edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen mbështet propozimin e kryetarit të OSBE-së, Edi Rama për ndërmjetësim të OSBE në Bjellorusi.
Ajo u shpreh se, “ne jemi të gatshëm të angazhohemi në të gjitha mënyrat e mundshme për të shoqëruar tranzicionin paqësor demokratik të pushtetit në Bjellorusi. Ne mbështesim hapjen e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës.”
Ajo ritheksoi mbështetje të fortë për rolin e OSBE-së. “OSBE-ja mund të kërkojë mënyra për të lehtësuar dialogun në Bjellorusi. Bjellorusia është anëtare e OSBE-së. Nuk është aq shumë për ndërmjetësimin, por për hapjen e kanaleve të komunikimit brenda Bjellorusisë”, tha ajo.
Dy ditë më parë Kryesia e OSBE-së me anë të një deklarate theksoi se vazhdon të ndjekë me vëmendje situatën në Bjellorusi.
“Ne ritheksojmë shqetësimet tona për zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit 2020, të cilat nuk mund të vëzhgoheshin nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, dhe përdorimi joproporcional i forcës kundër protestuesve paqësorë, ndalimet e shumta dhe torturat dhe keqtrajtimet e dyshuara nga forcat e sigurisë.
Një dialog i hapur dhe konstruktiv është i nevojshëm për të gjetur një rrugëdalje në Bjellorusi.
OSBE-ja është e gatshme ta mbështesë këtë dhe të angazhohet me të gjithë aktorët e interesuar.
Kryetari i OSBE-së, Kryeministri dhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryetari i ardhshëm i OSBE-së, Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, shprehën angazhimin që të takohen me qeverinë dhe përfaqësuesit e opozitës.
Kryesia e OSBE-së rithekson nevojën urgjente për pajtim të plotë me parimet dhe angazhimet e OSBE-së, përfshirë promovimin dhe mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut si edhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial”, përfundonte deklarata e OSBE-së.