Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Parlamentit siguroi se zgjedhjet e 2021 do të jenë fokusi kryesor i këtij sesioni të ri parlamentar.
Ai preku disa pika për të cilat kërkoi bashkëpunim në realizimin e tyre.
Për hapjen 100 përqind të listave Rama tha se duhen gjetur mekanizmat e duhur, por ai u shpreh se nuk do të realizohet pa garantuar më parë barazimin gjinor.
Deklarata e Ramës:
Uroj të jeni mirë në kushtet e një situate që befason shpesh. Do prek disa pika që do jenë në axhendën tonë. Data e zgjedhjeve, 25 prill mendoj që pa humbur asnjë minutë duhet që përmes komisionit të ligjeve dhe përfaqësuesit e dy palëve të hedhim në letër ato që do jenë reflektimet e ndryshimeve që bëmë përpara kësaj ndërprerje në kushtetutë dhe kodin zgjedhor. Besoj se nuk ka kohë për të humbur dhe të punojmë intensivisht me të gjithë fuqitë dhe ekspertët në dispozicion për të garantuar zbatimin e ndryshimeve. Nga njëra anë mekanizmin e listave të hapura ku duhet të diskutojmë. Koalicionet zgjedhore. Ne kemi atë shqetësim që kemi patur që ditën e parë.
I vetmi problem për ne në lidhje me hapjen 100 përqind të listave është garantimi i barazimit gjinor. Nëse nuk ka një mekanizëm të besueshëm, nuk do hapim listat 100 përqind. Hapja pa barazi gjinore nuk çon vendin askund. Kjo nuk është një sfidë e re për ne. Jam i bindur që bashkarisht do të gjejmë një rrugë siç e gjetëm dhe përpara ndërprerjes që të gjitha palët të jenë të përfaqësuara. Ku çdo palë duhet të pranojë që çdo gjë që nuk mori vetë, e mori pala tjetër.