Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, u takua me banorë të komunitetit rom në Durrës.
Vokshi shprehet se qytetarët të goditur nga tërmeti dhe nga pandemia, tregojnë kushtet e vështira të jetës dhe pamundësinë për të shkolluar fëmijët, mungesën e ndihmës sociale dhe nëpërkëmbjen në zyrat e administratës.
“T’i bëjmë thirrje, jo qeverisë së sotme, sepse harrojeni që ajo do të mendojë për ju, ju ka lënë të braktisur kaq vite, por ne do të mundohemi që të rikthejmë vëmendjen ndaj komunitetit. Ju takon. Asgjë të jashtëzakonshme nuk do të bëjmë, vetëm do të zbatojmë ligjet, do të zbatojmë programet. Janë fondet që janë të dedikuara për komunitetin rom që vidhen dhe shkojnë në xhepat e tjetër kujt dhe nuk vijnë për mbështetjen tuaj”, tha ish- deputetja Albana Vokshi.
Po ashtu, Vokshi shtoi se “nesër, kur të jemi në qeverisje t’ju japim atë që ju takon, që të mos dridheni që po vjen një oligark që t’ju rrëmbejë tokën apo pronën, që t’ju nxjerrë në rrugë dhe mos keni ku të strehoni fëmijët. Ajo çka ne premtojmë sot është rikthimi i vëmendjes, është punësimi. Mos kërkoni lëmoshë, kërkoni të punoni që të paguani faturat e dritave, që të ushqeni fëmijët dhe të bëni një jetë të denjë, është e drejtë kushtetuese, është e drejtë ligjore. Nuk do t’ju japim lëmoshë. Do të rikthejmë vëmendjen, do t’ju riintegrojmë në shoqëri”.