Parlamenti Europian ripohoi sot në një votim nevojën për të futur burime të reja të ardhurash në buxhetin e BE-së, një hap vendimtar për të lejuar Bllokun të marrë hua te tregjet dhe për zbatimin e planit të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh, i vendosur nga 27 shtetet anëtare.
Në një opinion të miratuar nga një shumicë e madhe në seancën plenare, eurodeputetët konfirmuan parimin e zgjerimit të burimeve të financimit të BE-së për të mbuluar, të paktën, kostot dhe interesat e lidhura me planin e rimëkëmbjes, edhe pse detajet dhe afati i saktë i këtyre masave janë objekt i negociatave të vështira midis Parlamentit dhe shteteve anëtare.
“Është një vendim historik! Për 32 vjet, BE-ja nuk ka patur burime të reja vetjake”, përgëzoi eurodeputeti, José Manuel Fernandes (PPE), ndërsa pranoi se do të duhet kohë për vlerësimin e rrugëve për krijimin e burimeve të reja të të ardhurave.
Kjo dritë jeshile nga eurodeputetët do të përbëjë bazën ligjore që do të lejojë KE-në për të marrë hua te tregjet për të financuar këtë plan, “Brezi i ardhshëm i BE”, duke krijuar për herë të parë një borxh të përbashkët.