Dy policë amerikanë kanë mbetur të plagosur gjatë protestave kundër vendimit për të mos ndjekur penalisht tre oficerë të akuzuar për vrasjen e një gruaje afroamerikane.
Protestat kundër racizmit në SHBA kanë përfunduar me shkrehje armësh të mërkurën teksa ekstremistët e majtë dhe aktivistët për të drejtat e afroamerikanëve pushtuan rrugët.
Dy oficerë policie mbetën të plagosur në mbrëmje por pa rrezik për jetën teksa ishin thirrur të hetonin të shtënat në qytetin e Luivilit, në shtetin amerikan të Kentakit.
Autoritetet thanë se mundën të shoqërojnë një person të dyshuar për ngjarjen.
Incidentet u provokuan nga vendimi i një jurie qytetarësh që vendosi pak orë më herët për mosgjykimin e policëve të akuzuar për vrasjen e një afroamerikaneje.
Brijana Tejlor, u ekzekutua në muajin mars kur policia po inspektonte apartamentin ku ajo jetonte me partnerin e saj, me dyshimin se ai përdorej për shitjen e lëndëve narkotike.
Duke e pandehur si bastisje, partneri i saj qëlloi drejt oficerëve duke plagosur njërin prej tyre, ndërsa këta të fundit lëshuan plumbat e tyre pa parë objektivin për shkak të errësirës, duke goditur për vdekje 23-vjeçaren që i shihte nga dritarja.
Dy prej oficerëve u liruan nga akuzat, ndërsa një tjetër rrezikon dënimin për vrasje pa shkak.
Palët arritën marrëveshje këtë javë për ta shlyer familjen e së ndjerës me 12 milionë dollarë.
Vrasja e Tejlorit dhe disa afroamerikanëve në muajt e fundit janë bërë shkak për demonstrata të dhunshme që po shfrytëzohen nga të ashtuquajturit grupe antifashiste për të vandalizuar qytetet e ndryshme dhe për të rritur tensionet racore pak muaj para zgjedhjeve presidenciale.
Kandidati për president i Amerikës, demokrati Xho Bajden, apeloi për heqjen dorë nga dhuna.
“Duhet të jenë paqësorë. Nuk duhet ta përlyejnë me dhunë kujtimin e Brijanës. Kjo nuk shkon, ajo vetë nuk do e kishte dashur, as e ëma e saj nuk e do dhe prandaj bëj thirrje për qetësi.”
Për shkak të trazirave, qyteti i Luivilit aplikoi gjendjen e jashtëzakonshme nga mbrëmja deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa qytetarët e shumë shteteve amerikane manifestuan në emër të drejtësisë dhe barazisë racore para ligjit.