Presidenti i Republikës, Ilir Meta, paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se do të jetë përgjegjës për pasojat nëse nuk respekton marrëveshjen politike të 5 qershorit me opozitën. Në përgjigje të interesit të medias pas një takimi të gjatë me ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca, dhe me diplomatë të tjerë të vendeve anëtare të unionit, Kreu i Shtetit përgëzoi opozitën që hoqi dorë nga kushti për qeveri teknike, ndërsa i adresoi një mesazh edhe kryeministrit Rama.
Marrëveshja e 5 qershorit dhe përmbushja e angazhimit nga politika për zbatimin e saj ka qenë në fokus të diskutimet të presidentit Meta dhe Ambasadorëve të BE në takimin e sotëm në Presidencë.
Në një prononcim për gazetarët, Meta ishte i qartë kur tha se nëse kjo marrëveshje shkelet ka vetëm një faktor, duke nënkuptuar kryeministrin Rama.
Edhe pse koha ecën, Presidenti uroi shumë që të ketë reflektim nga mazhoranca.
“Për fat të keq sjellja me ndryshimet kushtetuese antikushtetuese dhe terësisht të njëanshme që u përpoq të godasë marrëveshjen e 5 qershorit tregon se jemi në një kurs të kundërt nga ajo që pritet nga shqiptatrët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Çështja e hapjes së listave u takon palëve, për mua si president mbetet e rëndësishme respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit për të cilën i falenderova ambasadorët për kontributin, edhe unë u përpoqa të jap kontributin tim në drejtim të insistimit që opozita të mos vendoste qeverinë teknike si kusht për zgjedhjet e ardhshme edhe pse janë të gjitha provat që kjo qeveri vë dorë mbi zgjedhjet në mënyrë të hapur dhe brutale. Opozita bëri lëshimin shumë të madh që të mbyllej kjo marrëveshje. Gjërat janë të qarta.Ka mbetur pak kohë për të reflektuar dhe uroj të ketë reflektim.
Përndryshe kuptohet se përgjegjësia do të jetë vetëm e një faktori, nuk do të jetë dy fajtorë nëse do të shkelet marrëveshja e 5 qershorit dhe as 4 fajtorë, vetëm një fajtor i cili për fatin e tij personal kërkon të vërë në pikëpytje fatin e 4 milion shqiptarëve. Secili politikan duhet të ndajë çështjen shtetërore dhe interesin kombëtar nga çështjet politike dhe interesi personal.
Çështjet shtetërore dhe interesi kombëtar janë të paprekshme dhe duhet të respektohen njësoj nga të gjithë. Kush mendon se fati i tij është më i rendësishëm se e ardhmja europiane e Shqipërisë e ka shumë gabim. Është në kohë për të reflektuar dhe për të përmirësuar pozitën e vet, duhet të thellohen”, tha Meta.
I pyetur nëse do ti japë dritën jeshile ndryshimeve në kodin zgjedhor, Meta u përgjigj:
“Pres vetëm kodifikimin e marrëveshjes së 5 qershorit, hapja e listave 100% duartrokitet nga unë në mënyrën më të përzemërt. Mos kini frikë nga vota e lirë e popullit. Në Shqipëri nuk ka parlamentarizëm, deputetët janë kthyer në kukulla të kryetarëve. Unë nuk dua të merrem me direktivat e brendshme apo publike që jepen në këtë drejtim. Si përfaqësues i unitetit të popullit dhe si president, nëse dikush do të përpiqet të barazojë fatin e tij me fatin e të gjithë shqiptarëve dhe të ardhmen europoiane të Shqipërisë mua nuk do të më vijë keq për fatin e tij”, deklaroi Meta.
Në të gjitha rrethanat, Meta foli për në Shqipëri më të fortë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Shqipëria do të jetë shumë më e fortë pas 25 prillit dhe në të ardhmen sesa është sot. Do të nxjerrim të gjithë mësimet e duhra dhe do të bëjmë të gjithë ndëshkimet e duhyra. Rroftë Shqipëria europiane dhe nesër takohemi në Vjosë”, pohoi Meta.
Ndërkohë Agron Tufa ka nxjerrë sot disa shkresa ku pretendon se Gramoz Ruçi ka qenë spiun i Sigurimit të Shtetit. Ai thotë se jo vetëm politika, por edhe drejtësia është e kapur nga ish-sigurimsa. Meta shmangu komentet për këtë çështje, duke e kanalizuar debatin në një tjetër drejtim.
“Sot problemi është kapja e drejtësisë nga politika, shkelja e Kushtetutës në mënyrë të hapur dhe të dhunshme. Sot kemi për fat të keq politikanë që qartazi dhe hapur punojnë kundër interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, interegrimi europian është interesi i parë dhe i fundit edhe kombëtar i shqiptarëve”, tha ai.
Qëndrimi i ashpër i presidentit Meta vjen një ditë pas vendimit të maxhorancës për të dërguar për miratim në seancë plenare ndryshimet e kodit zgjedhor pa dakordësinë e opozitës.