Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka përshëndetur nga afër votimet që po zhvillohem në Gjirokastër për listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 25 prillit 2021 për këtë qark.
Bardhi u shpreh opotimist, duke theksuar se Partia Demokratike do të zgjedh kandidatët më të mirë.
“Sot anëtarët e Partisë Demokratike janë ftuar për të konfirmuar apo kontestuar kandidatët për përfaqësues politikë të Partisë Demokratike. Është një proces i ri që ndodh për herë të parë në një parti politike dhe e aplikon PD”,- tha Bardhi.
“Interesi i anëtarëve të partisë është shumë i madh që tregon se ky është një proces që respekton dhe dëgjon zërin e qytetarëve, në rastin konkret të anëtarëve të PD, për t’u shprehur ata mbi cilësinë e kandidatëve që në fund, Gjirokastra, nga PD të përfaqësohet me njerëz me integritet, që anëtarët e partisë i besojnë dhe i kanë votëbesuar”,- tha Bardhi.
Lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve Bardhi tha se, “kjo nuk është lista finale e kandidatëve për deputetë apo për kryetarë bashkie, do të ketë një fazë tjetër vlerësimi veçanërisht të integritetit të secilit prej kandidatëve, përsëri nga komisioni i vlerësimit dhe, më pas, do të ketë një filtër real vlerësimi të kontributeve në parti, veçanërisht gjatë këtyre 7 viteve në opozitë, nga kryesia qendrore e partisë dhe më pas nga Këshilli Kombëtar. Pra kjo nuk është lista finale e deputetëve, është lista e kandidatëve për të qenë kandidatë për deputetë. Ajo që është e sigurt është që përfaqësuesit e Partisë Demokratike që do të jenë në listën finale për deputetë do të jenë përfaqësuesit më të mirë të qytetit të Gjirokastrës dhe të qarkut Gjirokastër”, tha Bardhi.