Donald Trump ka njoftuar se ka marrë një letër të veçantë nga homologu i tij kinez, ndërsa negociatorët amerikanë dhe kinezë do të takohen në mbrëmje në Uashington në përpjekje për të zbutur konfliktin tregtar.
“Sapo mora letrën e dërguar nga homologu kinez. Me siguri do të zhvilloj një bisedë telefonike”, deklaroi ai pa dhënë afate apo specifikuar përmbajtjen e letrës.
Presidenti i SHBA, Donald Trump akuzoi Pekin për shkeljen e marrëveshjes, në prag të bisedimeve me zyrtarët kinezë, që ka për qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre disamujore në fushën e tregtisë.
“Ata e kanë shkelur marrëveshjen, ata nuk mund ta bëjnë këtë, kështu që do të paguajnë për këtë”, u tha ai mbështetësve në një tubim në Florida.
Zyrtarët amerikanë njoftuan para disa ditësh se SHBA-ja do të rriste tarifat për mallrat kineze në vlerë 200 miliardë dollarë, nga 10 % në 25 %, duke nisur nga dita e premte.
Zëvendëskryeministri kinez, Liu He do të vizitojë Uashingtonin për të shmangur tarifat.
Pekini ka thënë se do t’i kundërvihet SHBA-së, nëse ato do të hyjnë në fuqi./ATSH/