Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, bëri me dije sot se Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë janë dakordësuar për kryerjen e menjëhershme të të gjitha punëve teknike për të ngritur fondin ndërshtetëror për mbështetjen financiare të Luginës së Preshevës.
Sipas Kryediplomatit Cakaj mbështetja për Luginën e Preshevës dhe ngritja e çështjeve të shqiptarëve atje, do të vazhdojë pakursyer e në çdo rrafsh të mundshëm.
“Kjo është thjesht e mrekullueshme: Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë janë marrë vesh për kryerjen e menjëhershme të të gjitha punëve teknike për të ngritur fondin ndërshtetëror për mbështetjen financiare të Luginës së Preshevës”, tha Cakaj.
“Të mbahet parasysh: asgjë nuk përfundon këtu. Mbështetja jonë për Luginën e Preshevës dhe ngritja e çështjeve të shqiptarëve atje, do të vazhdojë pakursyer e në çdo rrafsh të mundshëm”, u shpreh Cakaj./ATSH/