Ministri i Mbrojtës Anton Quni, në emisionin Pressing të T7, ka komentuar veprimet e fundit të Turqisë në Ballkan, ku vendosi që ta armatos Serbinë me dronë ushtarakë. Ndërkohë që Quni pak para kësaj ngarje ishte në një vizitë në Turqi me ftesën e ministrit të Mbrojtjes së qeverisë turke.
Quni tha se nuk pajtohet me deklaratat ku thuhet se Turqia është më e afërt me Serbinë se sa me Kosovën, pavarësisht ajo armatosi Serbinë me një teknologji ushtarake mjaft të avancuar.
“Nuk pajtohem me deklaratat se Turqia është me e afërt me Serbinë se sa me Kosovën”, është shprehur Quni.
“Në Turqi ekzistojnë disa kompani që kanë subvencione nga qeveria dhe ato drejtohen nga politikat e qeverisë turke. Këto kompani private kanë të drejtën t’i ofrojnë shërbime edhe shteteve tjera, në këtë rast të Serbisë”, ka thënë Quni.
Tutje, ai tregoi se edhe Kosova mund të ketë në posedim këto armë sikur të kishte ekonominë mjaftueshëm të zhvilluar.
“Unë kam vizituar këto kompani dhe them se kushdo që ka ekonominë më të zhvilluar që t’i përballojë ato armë edhe mund t’i posedojë”, shtoi Quni.