Eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha sot se shpreson që negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut do të fillojnë para fundit të vitit, pavarësisht mosmarrëveshjeve me Bullgarinë në lidhje me gjuhën dhe historinë.
“Është në interes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të gjejnë një zgjidhje për këto çeshtje keqkuptimi”, tha zyrtari i BE-së.
“Nëse ato nuk zgjidhen, do të jetë shumë e vështirë të ecim përpara”, shtoi ai.
Varhelyi është në një turne në Ballkanin Perëndimor për të paraqitur një plan investimi prej nëntë miliardë eurosh për vitet 2021-27, si edhe për të vlerësuar reformat e zhvilluara në këto vende kandidate për integrim në BE.