Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se sot nga 974 mostrat e marra në 24 orët e fundit, 124 kanë rezultuar pozitivë, ndërsa nuk ka asnjë rast të vdekjes së pacientëve nga Covid 19.
Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se është shqetësues numri i madh i të infektuarve në Prishtinë ku sipas tij, shifra arrin në 72 brenda 24 orëve.
“Komuna, Shtabet emergjente, policia, Inspektoratet pres ta rrisin në maksimum kontrollin dhe zbatimin e masave anti Covid. Para një vendimi ndryshe për kryeqytetin, bashkë për të mirën e të gjithëve”, ka shkruar ai.
Zemaj ka bërë apel që qytetarët t’iu përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë shëruar 49 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14.836 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.770.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 72 raste, komuna Gjilan 9 raste, komuna Mitrovicë 7 raste, komuna Fushë Kosovë 5 raste, komuna Prizren 5 raste, komuna Drenas 4 raste, komuna Skenderaj 4 raste, komuna Suharekë 3 raste, komuna Kamenicë 2 raste, komuna Malishevë 2 raste, komuna Obiliq 2 raste, komuna Pejë 2 raste, komuna Podujevë 2 raste, komuna Viti 2 raste, komuna Vushtrri 2 raste dhe komuna Lipjan 1 rast.