Një skenar prej horrori është duke qarkulluar gjatë këtyre ditëve në Berlin e Bruksel: Nëse rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës del të jetë tepër i ngushtë, atëherë Donald Trumpi në detyrë mund ta shpallë veten fitues kur vendvotimet të mbyllen, ani pse ngec prapa në numërimin e votave. Ai mund para kohe dhe në mënyrë të paligjshme t’ia vërë sërish syrin Presidencës, shkruan “Der Spiegel”.
Po çfarë do të ndodhte pastaj?
Mund vetëm të merret me mend skenari, në të cilin presidenti brazilian Jair Bolsonaro nxiton ta urojë presidentin “e rizgjedhur” amerikan në natën e zgjedhjeve, duke u pasuar nga princi saudit Mohammed bin Salman, diktatori koreanoverior Kim Jong Un dhe mbase edhe presidenti rus, Vladimir Putin. Shumë pak më vonë, urimet e para nga Evropa mund të arrinin deri në Shtëpinë e Bardhë, duke nisur prej kryeministrit hungarez Viktor Orban, për shembull e deri të homologu i tij polak, Mateusz Morawiecki.
E nëse një krizë kushtetuese në fakt zhvillohet në SHBA pas zgjedhjeve, ka shqetësime të gjithëmbarshme në Evropë se BE-ja mund sërish të pësojë ndasi të thella.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA përbëjnë gjithnjë periudha të tensionuara për ekspertët e politikave të jashtme në kryeqytetet evropiane. Pjesëtarët e stafit të ministrive të Jashtme shqyrtojnë skenarët e ndryshëm për të përcaktuar se çfarë do të nënkuptonin rezultatet zgjedhore për vendet e tyre dhe për Bashkimin Evropian si tërësi. Platformat e të dy kandidatëve ekzaminohen në hollësi, për evidentimin e pikave të favorshme dhe atyre të disfavorshme. Dhe krejt këto janë goxha njëfarë rutine.
Rëndom. Ama kësaj radhe është ndryshe.