Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri sot thirrje politikanëve të së keqes që të heqin dorë nga politika djallëzore dhe fyerjet me pa të drejtë që u adresojnë atyre që sot janë në krye të detyrës, pasi nuk bëhet politikë me fakeqësitë.
Pas takimit javor me shtabin elektoral, Balla tha se “nuk ka asnjë vend të Europës sot një opozitë kaq djallëzore që të bëjë politikë me një pandemi botërore sikurse është COVID-19”.
Ndërkohë, i pyetur lidhur me rastin e vetëvrasjes së një pacienti me COVID në spitalin COVID 2, Balla tha se “raste të tilla kanë ndodhur edhe në vendet e tjera”. “Keqardhje e madhe dhe ngushëllime familjes, përgjigjet dhe arsyetimet kanë ardhur nga qendra spitalore COVID-2 për rastin e fundit”, tha Balla.
Ai nënvizoi përpjekjen e 4 politikanëve të së keqes, të cilët sot janë bashkë dhe në sytë e shqiptarëve, nga Berisha te Meta, nga Lulzimi te Monika, dhe po mundohen të përdorin fatkeqësinë për llumin e tyre politik.
“Shpreh mbështetjen time dhe të kolegëve për të gjitha bluzat e bardha të vendit që janë në krye të detyrës, kryesisht në qendra spitalore, ku po përballen me të sëmurët me COVID, apo asistencën në familje të gjithë shqiptarëve. Shpreh falënderimet më të sinqerta për një punë të shkëlqyer që po bëhet”, tha Balla./ATSH/