Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ia ka uruar fitoren në zgjedhjet presidenciale kandidatit demokrat, Joe Biden.
Sejdiu është shprehur i bindur se Biden do të përmbushë objektivat përgjatë këtij mandati presidencial. Ish-kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës këto komente i ka bërë në llogarinë e tij në ‘Facebook’, shkruan Gazeta Express.
“Populli amerikan ua dha besimin që e kërkuat. Jam i bindur se do të përmbushni objektivat Tuaja në këto kohë të sfidave të mëdha”, ka shkruar Sejdiu.
Ai ka rikujtuar edhe dekorimin e ish-nënpresidentit amerikan me “Medaljen e Artë të Lirisë” përgjatë kohës sa Sejdiu po shërbente si president i Kosovës.
“Ndihem me privilegj që në cilësinë e Presidentit të vendit tim Ju akordova “Medaljen a Artë të Lirisë”. Ky ishte vlerësim i sinqertë i popullit të Kosoves për kontributin Tuaj për Lirinë tonë! Zoti ju bekoftë! Zoti i bekoftë SHBA!”, ka shkruar tutje ish-diplomati kosovar.
Biden në gjithë procesin e numërimit të votave ka qenë duke prirë, derisa vendimtare ka qenë përmbysja që i ka bërë në Trumpit në shtetin e Pensilvanisë.
Tashmë Biden ka mbi 270 vota elektorale, të cilat ia mundësojnë hyrjen në Shtëpinë e Bardhë si i pari i Amerikës.
Që nga janari i 2021-ës, Biden do jetë zyrtarisht president i Shteteve të Bashkuara.
Përgjatë historisë, Joe Biden, njihet për afërsinë dhe miqësinë shumë të ngushtë me shqiptarët, sidomos me Kosovën.
Përgjatë viteve të 90-ta, ai ka qenë avokues i madh i lirisë së Kosovës dhe kishte kërkuar me ngul që SHBA të bombardonte Serbinë.