Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara kanë reaguar për krizën politike të Hong-Kongut me dorëheqjen e deputetëve pro-demokracisë.
Gati krejt deputetët kanë dhënë dorëheqje të mërkurën, në shenjë proteste ndaj përjashtimit të katër kolegëve të tyre me arsyetimin se përbëjnë kërcënim për sigurinë e Hong-Kongut. Qeveria kineze ka thënë se dorëheqja e deputetëve është kundërshtim i hapur ndaj autoritetit të saj në Hong-Kong.
Ministria e Punëve të Jashtme në Britani ka reaguar duke thënë se Kina po shkel marrëveshjen me të cilën kolonia britanike iu dorëzua Kinës në vitin 1997.
“Kina edhe një herë ka thyer premtimet e saj dhe ka shtrënguar në masë të madhe autonominë e Hong-Kongut”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme britanike. SHBA-ja, në anën tjetër, veprimet e Kinës karshi Hong-Kongut i ka cilësuar si diktaturë të një partie.