Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një koment lidhur me raportin kritik të një dite më parë të FMN-së, thotë se gjetjet konfirmuan atë që PD i kërkon prej kohësh qeverisë, më shumë ndihmë financiare për familjet shqiptare.
“Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një raport kritik mbi situatën ekonomike në Shqipëri. Raporti konfirmon atë që ne i kemi kërkuar qeverisë Rama për muaj me radhë: të japë më shumë ndihmë financiare familjeve shqiptare. Raporti thekson: “Paketat e mbështetjes COVID-19 të Shqipërisë janë më të vogla se mesatarja e atyre në tregjet në zhvillim dhe Ballkanin Perëndimor”. Shqipëria është ndër vendet që ofrojnë ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët!”, tha Basha.
Basha nënvizon se qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë dhe Shqipëria meriton një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e vet.
Fondi Ndërkombëtar Monetar i kërkon qeverisë që të tregohet e kujdesshme sa i përket menaxhimit të financave.
“Ekonomia mund të përkeqësohet edhe më tej si pasojë e pandemisë së coronavirusit, ndaj është e nevojshme që të përcaktohen rezerva të mjaftueshme për të përballuar situatën”, thuhet në raport.
Raporti thekson se shifrat e infektimeve nga Covid janë në rritje në vendin tonë dhe një pandemi më e rëndë e shoqëruar me uljen e remitancave dhe të investimeve të huaja, si dhe goditjen e industrisë së turizmit, do të përkeqësonte parashkimin ekonomik për Shqipërinë.