Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, teksa i referohet deklaratave të kryeministrit Edi Rama dje në “PolitikOn”, shprehet se, sa herë flet shefi i qeverisë vetëm gënjen.
Sipas numrit dy të selisë blu, Edi Rama ka punuar vetëm për vete dhe aspak për shqiptarët.
“Sa herë flet, Edi Rama vetëm gënjen. Sa më i bujshëm premtimi, aq më i madh mashtrimi. Ndiqeni në video si gënjen sot dhe çfarë ka premtuar para ardhjes në pushtet për largimin e shqiptarëve nga vendi.
Paaftësia, etja për pasurim të paligjshëm përmes vjedhës, padrejtësia, hendeku i madh i krijuar nga pushteti, detyruan shqiptarët të ikin nga vendi. Edi Rama ka punuar vetëm për vete, aspak për shqiptarët. Nuk ka mbajtur asnjë premtim, nuk ka asnjë bilanc pune në dobi të shqiptarëve.
Boll më me këtë kryeministër të paaftë! Është koha të largohet Edi Rama, jo shqiptarët nga vendi i tyre. Është koha për ndryshim!”, shkruan Bardhi.