Edhe në takimin me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha të mbajtur paraditen e sotme, Presidentja e Kosovës në detyrë Vjosa Osmani vuri theksin në kërkesën që Shqipëria duhet të dënojë genocidin serb përmes një rezolute.
“Të punojmë bashkarisht që të dy flamujt të valëviten në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Kjo është fondamentale. Vërtet që jemi dy flamuj e dy shtete të pavarura, por jemi një shpirt i pamposhtur dhe si të tillë do të duhej të vepronim ndërmjet nesh e përballë botës. Besoj se kërkesa jonë që Shqipëria të jetë shteti i dytë pas Kosovës të dënojë genocidin serb është plotësisht legjitime dhe nuk do të duhej të haste në vonesa dhe as në pikëpyejte”, tha Osmani në një prononcim krah kryetarit të opozitës Basha përparë gazetarëve.
Nga ana e tij kreu i PD-së garantoi mbështetjen si sot por dhe nesër kur qytetarët ta ngarkojnë me përgjegjësinë e kryeministrit.
“Shpreh mirënjohjen time të thellë për mesazhet e qarta dhe të paekuivoke të shprehura edhe gjatë fjalës së djeshme në Kuvend dhe tek presidenti dhe të siguroj atë e Kosovën se sot si kryetar i opozitës dhe nesër me përgjegjësinë që do më ngarkojnë qytetarët dhe si nip i juaj do të bëj gjithçka të rikthejmë bashkëpunimin në nivele më të larta. Sfidat janë të larta do të jenë edhe më të mëdha por do të keni fuqinë e plotë tonën”, tha Basha.
Osmani vuri theksin tek bashkëpunimi i fortë për të mos lejuar Serbinë të ndryshojë të vërtetën para syve tanë.
“Tendenca e Serbisë për të ndryshuar të vërtetën para syve tanë është më e fuqishme se kurrë, të mos e lejojmë që ata të kenë sukses”, tha Osmani.