Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, i ka bërë thirrje Iranit që të mos e humbë mundësinë e ofruar nga prospekti i administratës së re amerikane të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, për t’iu kthyer bisedimeve për marrëveshjen kundër përhapjes së armëve bërthamore.
Duke folur pas një video-konference me zyrtarët nga vendet që nënshkruan marrëveshjen me Iranin në kohën e administratës së Barack Obamas, Maas ka thënë se Irani duhet të heqë dorë prej hapave të mundshëm taktikë që do t’ia vështirësonin punën Bidenit, i cili po mundohet ta ndryshojë vendimin e Donald Trumpit për tërheqje nga ujdia.
Shefi i diplomacisë gjermane ka kujtuar se taktika të ngjashme janë përdorur në të kaluarën nga Republika Islamike e Iranit, që megjithëse pretendon se programi i saj ka qëllime paqësore, SHBA-ja dhe Izraeli druajnë se Teherani synim final ka prodhimin e armëve atomike.